pri162019
Farmakovigjilenca. AIFA: Ja, antibiotikët që do të hiqen nga tregu!
Agjencia Italiane e Barnave (AIFA) ka tërhequr vëmendjen mbi disa antibiotikë të përdorimit të zakonshëm, për shkak të rrezikut të efekteve anësore "invaliduese, afatgjata dhe potencialisht të përhershme", serioze.
Bëhet fjalë për barna që përmbajnë fluorokinolone dhe kinolone, të cilat do të tërhiqen nga tregu. Agjencia ka shpërndarë një shënim me indikacione për mjekët. "Pas përdorimit të antibiotikëve me kinolone dhe fluorokinolone, thuhet në lajmërimin e publikuar në faqen e internetit të AIFA-s, janë sinjalizuar efekte negative invaliduese, afatgjata dhe potencialisht të përhershme, kryesisht mbi sistemin muskuloskeletor dhe sistemin nervor. Për pasojë, janë rivlerësuar përfitimet dhe rreziqet e të gjithë antibiotikëve me kinolone dhe fluorokinolone dhe indikacionet e tyre në vendet e BE-së. Kështu, do të tërhiqen nga tregu barnat që përmbajnë cinoxacine, flumechine, acid nalidixic dhe acid pipemidik".
Mjekëve u indikohet të mos i përshkruajnë këto barna në raste të tilla si në trajtimin e infeksioneve jo të rënda ose për infeksione jo bakteriale. Kujdesi në përshkrim rekomandohet për pacientët e moshuar ose me dëmtime renale, ose që i janë nënshtruar transplantit të organit. Mjeku, gjithashtu, duhet të informojë pacientin që të "ndërpresë trajtimin nëse ka shenjat e para të reaksioneve të kundërta të rënda, të tilla si tendiniti dhe këputja e tendinës, dhimbja muskulare, neuropatia" dhe të konsultohet me mjekun e tij, për këshilla të mëtejshme.
EMA, thuhet në njoftimin e AIFA-s, "ka rishqyrtuar gjatë muajve të shkuar antibiotikët me kinolone dhe fluorokinolone për përdorim sistemik dhe inhalues, me qëllim vlerësimin e rrezikut të reaksioneve të kundërta të rënda dhe të qëndrueshme (që zgjasin për muaj apo vite), invaliduese dhe potencialisht të përhershme, kryesisht në sistemin muskuloskeletor dhe në sistemin nervor.
Reaksionet e kundërta të rënda mbi sistemin muskuloskeletik përfshijnë tendinitin, këputjen e tendinës, mialgjinë, dobësinë muskulore, artralgjinë, ënjtjen e nyjave dhe shqetësimet e të ecurit. Efektet e rënda mbi sistemin nervor periferik dhe qendror, përfshijnë neuropatinë periferike, insomnian, depresionin, lodhjen dhe shqetësimet e kujtesës, ashtu si edhe dëmtimin e shikimit, të dëgjimit, të nuhatjes dhe të shijes.
Janë sinjalizuar vetëm pak raste të këtyre reagimeve të kundërta invaliduese dhe potencialisht të përhershme, por ekziston mundësia që disa të tjear të mos jenë sinjalizuar. Për shkak të rëndesës së këtyre reaksioneve në subjekte deri më tani të shëndetshme, vendimi i përshkrimit të kinoloneve dhe fluorokinoloneve duhet të merret pas një vlerësimi të kujdesshëm të përfitimeve dhe rreziqeve në secilin rast."