pri182019
Opioidet. Kina ndalon prodhimin dhe shitjen e barnave me bazë fentanyli. Efekti do të jetë ndërkombëtar
Duke nisur nga 1 maji, barnat me princip aktiv fentanylin, do t'i shtohen listës së substancave të ndaluara në territorin kinez. Kështu, prodhimi dhe shitja e shumë varianteve të fentanylit, është vendosur dhe do të jetë subjekt i masave më të rënda.
Marrjen e kësaj mase e ka njoftuar Liu Yuejin, zëvendës komisioner në Komisionin Kombëtar Kinez të Kontrollit të Narkotikëve, siç bëhet e ditur nga "New York Times".
"Jemi plotësisht të bindur se kontrolli mbi të gjitha substancat me bazë fentanyli do të arrijë të bllokojë boshllëqet në sistem, që u japin mundësi agresorëve ta anashkalojnë lehtësisht ligjin duke modifikuar një apo më shumë atome, grupe funksionale ose grupe te tjera. Kjo masë do të parandalojë në mënyrë efikase abuzimin masiv me barna me bazë fentanyli, trafikun e paligjshëm të barnave dhe aktivitetet kontrabandë". Vendi tashmë kishte vendosur 25 analogë të fentanylit dhe dy pararendës, në listën e substancave të kontrolluara.
Parashikohet që kjo dispozitë të ketë një jehonë ndërkombëtare, në dritën e akuzave të përsëritura të bëra nga zyrtarët amerikanë kundër Kinës, që supozohet të jetë burimi kryesor i opioideve sintetike të përhapura në SHBA, nëpërmjet shpërndarjes klandestine ose përmes kufirit meksikan, akuza këto, që qeveria kineze i ka hedhur gjithmonë poshtë: "Kontrolli kinez i barnave me bazë fentanyli është shumë strikt", shpjegoi Liu. "Ne nuk jemi burimi kryesor i furnizimit për Shtetet e Bashkuara. Nuk ka prova për të mbështetur këto akuza dhe faktet nuk përkojnë". Barnat opioide janë bërë shkaku kryesor i vdekjes nga mbidoza në SHBA: sipas të dhënave të Institutit Kombëtar për Abuzimin me Drogat, përqindja e vdekjeve të lidhura me opioidet me bazë fentanyli është rritur nga 14.3% në 2010, në 60 % në vitin 2017.
Kjo krizë e barnave opioide, lind në kontekstin më të gjerë të tensioneve mes dy vendeve. Në 2017 dhe 2018, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së paditi krerët e dyshuar të tre organizatave kineze të përfshira në trafik ilegal, pa njoftuar autoritetet e Pekinit, të angazhuar në një projekt bashkëpunimi.
"Deri më sot, nuk kemi prova se të pandehurit shkelën ligjet kineze, kishte komentuar Liu, dhe SHBA-ja duhet të paraqesë prova që tregojnë një shkelje të ligjeve tona. Ne po punojmë së bashku në hetime, por SHBA-ja ka ndërmarrë veprime pa na informuar. Kjo minon klimën e bashkëpunimit, një fakt, që na lëndon".