Farmaci

maj282019

Një bar i ri kundër të përzierave dhe të vjellave gjatë shtatzënisë

Sot është në dispozicion një trajtim i ri, i krijuar nga kombinimi i doxilamine succinate (10 mg) dhe hidroklorid piridoksine (vitaminë B6, 10 mg), i cili rekomandohet nga ACOG (Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve) si një terapi farmakologjike e linjës së parë për të përzierat dhe të vjellat gjatë shtatzënisë.

"Rezultatet e studimeve klinike të zhvilluara mbi më shumë se 200.000 gra, kanë treguar se ky bar, efikas që nga marrja për herë të parë, është i sigurt dhe i toleruar për gratë shtatzëna", ka deklaruar Irene Cetin (Spitali i Fëmijëve "Vittore Buzzi" në Milano), gjatë konferencës "Stop të përzierave dhe të vjellave gjatë shtatzënisë", që është mbajtur në Milano.

Shtatzënia nuk është sëmundje, por mbetet një moment shumë i veçantë, gjatë të cilit shpesh nisin shqetësime që ndikojnë në mënyrë të dukshme në jetën shoqërore dhe në punën e gruas, ashtu si edhe në marrëdhënien në çift.

Të përzierat prekin deri në 80% të grave shtatzëna dhe në 50% të rasteve, ato janë të shoqëruara me episode të vjellash. Përgjithësisht, të përzierat dhe të vjellat shfaqen ndërmjet javës së katërt e të nëntë të shtatzënisë dhe zhduken pas tremujorit të parë. Megjithatë, rreth 15% e grave vazhdon të ketë simptoma të tilla për të gjithë shtatzëninë. Pavarësisht se nuk janë shqetësuese nga pikëpamja klinike, shqetësime të tilla mund të sjellin mungesa nutricionale dhe të ndikojnë negativisht në jetën emocionale dhe psikologjike. Në këtë kontekst, figura e gjinekologut është jashtëzakonisht e rëndësishme.

"Do të jetë gjinekologu ai që e informon gruan se, edhe nëse janë çrregullime të pakëndshme që prekin shumicën e grave shtatzëna, ato nuk duhet të fshihen, të neglizhohen apo të bëhen dobësuese për të", thotë Elsa Viora, Presidente e Shoqatës Italiane të Gjinekologëve dhe Obstetërve. Falë konsultës dhe dëgjimit, mjeku mund të lehtësojë stresin. I ashtuquajturi "maternazh" paraqitet kështu si një strategji e re themelore e marrëdhënieve mjek-pacient, me qëllim, sigurimin e një dimensioni më pak traumatik të amësisë dhe ruajtjen e cilësisë së jetës së nënës së ardhshme. Pasja në dispozicion e një produkti efektiv, të sigurt dhe specifik për të përzierat dhe të vjellat në shtatzëni, është një formë respekti për gratë. "Ruajtja e cilësisë së jetës së nënës së ardhshme duhet të bëhet një qëllim klinik për ne specialistët", përfundon Viora.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC