kor52019
Bie përdorimi i opioideve në SHBA, falë përdorimit të kanabisit
90% e përdoruesve të kanabisit terapeutik për kontrollin e dhimbjeve, të cilët kishin marrë barna opioide për të njëjtën arsye, reduktuan ose eliminuan plotësisht përdorimin e këtyre barnave. Këto janë rezultatet e spikatura të një studimi të raportuar kohët e fundit në "Journal of Psychoactive Drugs", bazuar në të dhënat e mbledhura nga dy pika shitjeje kanabisi në Kolorado, një shtet ku kjo substancë është e ligjshme për qëllime mjekësore dhe rekreative.
Klientët e dy pikave të shitjes u ftuan nga stafi për t'iu nënshtruar një pyetësori nga i cili ishin përjashtuar mbajtësit e "kartës mjekësore të marijuanës", e cila lejon mbajtjen e një sasie më të madhe se ajo e zakonshme e caktuar me ligj. Nga një mijë njerëz të pyetur, 647 konfirmuan se e përdornin kanabisin për qëllime mjekësore; 319 përdorues si mjet kundër dhimbjes (rreth 49%) deklaruan se kishin përdorur opioide gjatë 6 muajve të fundit (ndër më të përdorurit: oksikodoni, hidrokodoni, tramadoli dhe morfina). Nga këta të 319-të, 281 (rreth 90%) konfirmuan se kishin reduktuar ose eliminuar marrjen e këtyre barnave.
"Numri i atyre që kanë dëshmuar ndërprerjen apo reduktimin e përdorimit të opioideve përkon me rezultatet e paraqitura në hulumtime të tjera", shpjegon Gvven VVurm, asistent profesore e pediatrisë klinike në Universitetin e Majamit dhe autore kryesore e këtij kërkimi. Një nga kufizimet kryesore të studimit, sipas studiuesit, është se sondazhi nuk hulumtonte se cila ishte arsyeja kryesore e blerjes, "pasi i njëjti konsumator mund të blejë kanabis, si për të lehtësuar simptomat e patologjive, ashtu edhe për efektet psikoaktive". Për më tepër, mungojnë të dhënat specifike për praninë e ndonjë përshkrimi dhe mbi tipologjinë e kanabisit të blerë: "Kemi nevojë për një hulumtim më të thellë në këtë fushë, për të rekomanduar trajtime efektive për pacientët", përfundoi ai.