sht122019
Studiohen efektet anësore të antipsikotikëve; gjenerata e parë dhe e dytë. Ku ngjajnë dhe ku ndryshojnë?
Shumica e antipsikotikëve të përdorur për trajtimin e skizofrenisë, kanë mes tyre dallime relativisht të vogla, që janë nxjerrë në pah nga një metaanalizë e re në rrjet (network metanalysis) e botuar në "Lancet" dhe e realizuar me mbi 402 studime me përzgjedhje rastësore, të kontrolluara (RCT), në të cilat 32 antipsikotikë oralë, u krahasuan me placebon. Studiuesit, të udhëhequr nga Maximilian Huhn (Departamenti i Psikiatrisë dhe Psikoterapisë në Universitetin Teknik të Mynihut) kanë parë që, me pak përjashtime, vetëm clozapine, amisulpride, zotepine, olanzapine dhe risperidone ishin dukshëm më të efektshëm në reduktimin e simptomave.
Në lidhje me efektet anësore...
...antipsikotikët e gjeneratës së vjetër shoqëroheshin më shumë me çrregullime motorike ekstrapiramidale (EPS) dhe rritje të niveleve të prolaktinës, ndërsa shumë antipsikotikë të rinj u shoqëruan me shtim në peshë dhe sedatim. Antipsikotikët më të fundit, vërejnë autorët, shpesh janë trajtimi i zgjedhjes së parë, por ata "më të vjetër", janë më të lirë dhe përdoren ende kudo në botë, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta. Për më tepër, as antipsikotikët e hershëm, as brexpiprazoli dhe kariprazina (të dyja, miratuar kohët e fundit), nuk janë krahasuar ndonjëherë në një metaanalizë të rrjetit.
Kështu, nga gjithsej 54.417 studime, studiuesit përfshinë 402 RCT të antipsikotikëve të përdorur për trajtimin e pacientëve me simptoma akute të skizofrenisë ose çrregullimeve të lidhura me të (53,463 pjesëmarrës; mosha mesatare 37.40 vjeç; 56.02% meshkuj; kohëzgjatja mesatare e sëmundjes: 11.9 vjet). Studimet ishin double blind, të kontrolluara me placebo, ose të krahasuara kokë më kokë.
Kërkuesit kanë përfshirë të gjithë antipsikotikët oralë të gjeneratës së dytë (atipikë), të disponueshëm në Europë apo në SHBA, si dhe një përzgjedhje antipsikotikësh oralë të gjeneratës së parë ("tipikë" ose "konvencionalë"). Rezultati primar ishte ndryshimi i simptomave të përgjithshme të skizofrenisë, të matura me shkallën e vlerësimit (Positive and Negative Syndrome Scale ose Brief Psychiatric Rating Scale).
Rezultatet dytësore ishin...
...ndërprerja e trajtimit për të gjitha shkaqet ose për shkak të joefektivitetit dhe nivelet e përgjigjes, të përcaktuara nga studimi. Rezultatet dytësore shtesë ishin ndryshimi në simptoma (pozitive, negative dhe depresive), cilësia e jetës dhe funksioni shoqëror.
Efektet anësore të ekzaminuara ishin simptomat ekstrapiramidale (të vlerësuara në bazë të përdorimit të barnave anti-Parkinson), akatizia, shtimi në peshë, nivelet e prolaktinës, sedatimi ose sonolenca, zgjatja e traktit QT dhe prania e një ose më shumë efekteve anësore antikolinergjike. Të gjithë antipsikotikët prodhuan një reduktim më të madh të simptomave të përgjithshme, krahasuar me placebon. Clozapine, amisulpride, zotepine, olanzapine dhe rizperidone reduktuan më shumë simptomat e përgjithshme.
Për barnat e mbetura, dallimet ishin "të vogla ose shumë të pasigurta". Në krahasim me placebon, amisulpride, risperidone, olanzapine, paliperidone dhe haloperidoli ishin më efektive se barnat e tjera në reduktimin e simptomave pozitive. Në veçanti, clozapine, amisulpride, olanzapine dhe (në një masë më të vogël), zotepine dhe rizperidone kanë ulur simptomat negative në mënyrë të konsiderueshme më shumë se shumë barna të tjera. Sulpiride, clozapine, amisulpride dhe olanzapine u shoqëruan me ulje konsiderueshëm më të madhe të simptomave depresive, aripiprazoli me përmirësimin më të lartë në cilësinë e jetës dhe thioridazine, me përmirësimin e funksionimit shoqëror. Nga analiza, kanë dalë edhe shumë të dhëna të tjera të rëndësishme.
Të dhëna të tjera të rëndësishme...
- Në krahasim me placebon, clopentixoli u shoqërua me shkallë më të ulët të ndërprerjes dhe haloperidoli, me shkallë më të lartë.
- Dymbëdhjetë antipsikotikë, me në krye të listës zotepinën, olanzapinën dhe sertindolen, u shoqëruan me shtim më të madh në peshë sesa me placebo.
- Clozapine duket se shoqërohet me një rrezik më të ulët të përdorimit të barnave anti-Parkinson sesa haloperidoli, ndërsa rreziku më i lartë u gjet te klorpromazine; një hierarki e ngjashme vlerash u zbulua për akatizinë.
- Barnat më të përfshira në rritjen e niveleve të prolaktinës, kanë rezultuar olanzapina, asenapina, lurasidoni, sertindole, haloperidoli, amisulpride, risperidoni dhe paliperidoni.
- Quetiapine ishte agjenti më pak i përfshirë në shkaktimin e zgjatjes së intervalit QT, i ndjekur nga olanzapina dhe rizperidoni.
Nga 32 antipsikotikët e testuar, të gjithë shoqëroheshin me një shkallë të caktuar sedatimi, por 18 u shoqëruan me një sedatim dukshëm më të madh, krahasuar me placebon, me një rrezik relativ që varion nga 1.33 për paliperidonin, deri në 10.20 për zuclopentixolin. Rreziku i efekteve anësore të lidhura me antikolinergjikët (shpesh përdoret për trajtimin e simptomave ekstrapiramidale) ishte më i dukshëm me rizperidonin dhe haloperidolin. "Të gjithë antipsikotikët kanë avantazhe dhe dizavantazhe individuale dhe asnjë nuk është optimal", vërejnë autorët, gjë që tregon qartë se nuk është gjetur ende "bari ideal" për këtë indikacion.
Lancet, 2019 Jul 11. doi: 10.1016/S0140-6736(19)31135-3.
[Epub ahead of print]https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31303314