Farmaci

tet72019

Inhibitorët e pompës protonike, të dëmshëm apo të dobishëm?

Inhibitorët e pompës protonike (IPP) janë të dëmshëm, apo të dobishëm? Ndonëse në disa raste, përfitimet për pacientët janë të pamohueshme, siguria e këtyre barnave është tashmë në qendër të vëmendjes. Mos ndoshta mjekët i përshkruajnë lehtësisht? Mos ndoshta një përdorim i zgjatur shkakton dëme? Këto pyetje janë në qendër të një debati që, deri më tani, ka patur mbështetës e kundërshtues, të cilët përballen pa patur një mbizotërim thelbësor të provave në favor të njërit apo tjetrit opinion.

Omeprazoli, lansoprazoli, esomeprazoli, pantoprazoli dhe rabeprazoli janë barnat që përshkruhen më së shumti. Ndonëse përfitimet për pacientët janë në disa raste të pamohueshme, siguria e këtyre barnave është tashmë në qendër të vëmendjes, me studime dhe kërkues që kanë mbrojtur dhe kanë vënë në diskutim përfitimet, rreziqet dhe përdorimin e përhapur. Ka patur me mijëra ankesa ligjore, mbi të gjitha në SHBA, nga pacientë që kanë shfaqur efekte anësore, mes të cilave sëmundje renale dhe fraktura të kockave.

Ziyad Al-Aly (Universiteti i Uashingtonit) dhe grupi i tij i punës, kanë publikuar një studim në "British Medical Journal", që ka ekzaminuar normat e vdekshmërisë të lidhura me IPP-të te 157.000 veteranë, të cilëve, barna të tilla u ishin përshkruar për të parën herë, duke i ndjekur ata për 10 vjet.
"Ekzistojnë prova që sugjerojnë se, nëse këto barna përdoren për një periudhë të gjatë, veçanërisht kur nuk janë indikuar nga këndvështrimi mjekësor, ato janë të lidhura me efekte të rënda anësore dhe gjithashtu, me një shtim të rrezikut të vdekjes për shkaqe specifike, ashtu si edhe për sëmundje kardiake, renale dhe për shkak të kancerit të stomakut", komenton Al-Aly.
"Mund të ekzistojnë edhe rreziqe të tjera, por është e rëndësishme të përmendim në këtë kontekst se IPP-të janë edhe barna të dobishme nëse përdoren në mënyrën e duhur, te pacienti i duhur dhe për kohëzgjatjen e indikuar. Te pacientët te të cilët janë indikuar, këto barna, në realitet, shpëtojnë edhe jetë", shton ai.
Përkundrazi, një studim i drejtuar nga Paul Moayyedi (Universiteti McMaster në Ontario, Kanada) dhe i publikuar në "Gastroenterology", nuk ka gjetur një arsye për t'u shqetësuar. Kërkuesit kanë ndjekur për tre vjet, 17.598 vetë të përzgjedhur në mënyrë rastësore, për të marrë një IPP apo placebo dhe nuk kanë gjetur prova për të mbështetur mendimin se IPP-të shkaktojnë sëmundje të rënda, siç janë sëmundjet renale kronike, pneumonitë, diabeti e demenca.
"Duke krahasuar një grup njerëzish që merrnin placebo, me një grup tjetër që merrnin IPP, kemi parë se normat e  sëmundjeve kardiake, iktusit, pneumonisë, frakturave, sëmundjeve renale kronike dhe demencës, ishin shumë të ngjashme. Edhe normat e kancerit ishin të ngjashme dhe vdekshmëria për të gjitha shkaqet ishte thuajse e njëjtë, mes të dyja grupeve", shpjegon Moayyedi. Eksperti thekson se pjesa më e madhe e studimeve mbi IPP-të është e llojit vëzhgues e kështu, nuk janë shumë të besueshme, ndërsa grupi i tij ka testuar në praktikë, impaktin e barnave mbi pacientët, krahasuar me ata që thjesht, janë trajtuar me placebo.

 

Rreziku për patologji dhe përfitimet

"Studimet vëzhguese, kanë treguar shtim të rrezikut për patologji të tilla si pneumonia apo frakturat. Megjithatë, mesatarisht, pacientët që marrin IPP janë më të sëmurë se ata që nuk i marrin dhe njerëzit më të sëmurë, sigurisht që vuajnë nga patologji të tjera. Ne mund të konfirmojmë se tani për tani, nuk shohim të ketë dëme që rrjedhin nga përdorimi i barnave", përfundon ai.
Folasade May (UCLA Health), po bën një studim mbi përdorimin e tepruar të IPP-ve, pikërisht sepse është i mendimit se nuk ka mjaftueshëm studime që mund të kënaqin argumentin. "Motivi se pse janë të rëndësishme këto pyetje dhe këto studime, është se janë me miliona njerëzit që marrin IPP dhe kur një bar është kaq i zakonshëm, edhe efektet anësore të rralla mund të kenë një ndikim mbi shumë individë", konfirmon ai.

 

BMJ 2019. Doi: 10.1136/bmj.l1580
https://www.bmj.com/content/365/bmj.l1580


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC