Farmaci

tet82019

Ligji "Për produktet kozmetike". Një ligj kombëtar që përfundon në ligj sektorial

Ligji nr. 26/2017, mund të jetë ligj kombëtar, por në të vërtetë, ai po zbatohet thjesht dhe pastër, në mënyrë sektoriale. Që në nenin e parë të tij, ligji në fjalë thotë:
Neni 1: "Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe garantimin e cilësisë së produkteve kozmetike të bëra të disponueshme në treg, duke përcaktuar kërkesat që duhet të përmbushë çdo produkt kozmetik."

Pra, "çdo" produkt kozmetik.

Neni 2: "Ky ligj zbatohet për të gjitha produktet kozmetike, të prodhuara në mënyrë industriale, të vendosura në tregun e Republikës së Shqipërisë".

Pra, ligji e thotë qartë dhe pastër qëllimin dhe fushën e tij të zbatimit,  por çfarë ndodh realisht...?
Pothuajse asnjë subjekt që tregton produkte kozmetike në parfumeri apo supermarkete, nuk ka regjistruar produkte kozmetike në zbatim të ligjit në fjalë.

Për t'u bindur për sa më lart, mjafton t'i hedhësh një sy Listës Zyrtare të Produkteve Kozmetike të regjistruara.

Lista përmban 4814 produkte kozmetike, të regjistruara nga vetë subjektet që i sjellin ato në treg, në zbatim të detyrimit ligjor që rrjedh nga Ligji nr. 26/2017. Nuk është e vështirë të të bjerë në sy fakti që, rreth 95% e produkteve të listës së kozmetikës shitet në kanal farmaceutik. Ku janë produktet e panumërta që shiten nëpër supermarkete (Rossman & Lala, Well, Conad, SPAR, Big Market etj.), parfumeri të vogla e të mëdha, dyqane kozmetike (Beauty Line, Beni&Bess Albania e të tjera?), apo prodhuesit të huaj dhe vendas, si Beba Cosmetics, për shembull? A nuk është ligji i zbatueshëm edhe për ato? Kur themi se "Ky ligj ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe garantimin e cilësisë së produkteve kozmetike të bëra të disponueshme në treg", flasim për një treg ku kanë qasje të gjithë qytetarët e këtij vendi, pra, për çdo hapësirë ku ata mund të blejnë produkte që mund të vënë në rrezik jetën e tyre. 
 
Mjafton të shkojmë në një supermarket çfarëdo dhe të hedhim një sy, do të vërejmë që raftet janë plot me produkte kozmetike, por ato janë vetëm aty, se në listën zyrtare të ministrisë nuk janë...

Lind pyetja: ku është konsumi më i madh i produkteve të kozmetikës? Farmaci apo supermarket dhe parfumeri? Përgjigjja është e qartë besoj... dhe besojmë se e dinë edhe në Ministrinë e Shëndetësisë.

Por janë pikërisht vetëm ndërmarrjet farmaceutike, ato që janë treguar të rregullta me regjistrimin e produkteve të tyre kozmetike (dhe këtë nuk e themi ne, por lista zyrtare e produkteve), gjë që nuk mund të thuhet për shitësit e tjerë, supermarkete apo prodhues qofshin, ama janë pikërisht ndërmarrjet farmaceutike  ato që janë në shënjestër të kontrolleve të imtësishme.

Ne kemi disa pyetje të thjeshta: Sa nga firmat që tregtojnë produkte kozmetike në supermarkete, parfumeri, prodhues vendas etj., kanë njoftuar për produktet e tyre? Ku janë këto produkte, që ne nuk i shohim në Listën Zyrtare të Produkteve Kozmetike?
Përse nuk ushtrohet kontroll edhe nëpër supermarkete apo dyqane parfumerie qofshin, ku është dhe sasia dhe llojshmëria më e madhe produkteve kozmetike dhe si rrjedhojë, edhe probabiliteti që një konsumator të blejë një produkt të paregjistruar dhe të pacertifikuar nga Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri, ashtu siç ushtrohet në sektorin farmaceutik?
Kemi edhe pyetje të tjera, por do t'i lëmë për një shkrim tjetër...


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC