dhj162019
Prodhimi i barnave në satelitë; mundësi të reja në ekonominë hapësinore
Satelitë që shndërrohen në laboratorë për zhvillimin e barnave në kushtet e mikrogravitetit. Një nga mundësitë e reja të ekonomisë, prezantuar në Romë.
Satelitë të vegjël, të pajisur si laboratorë plotësisht automatikë për të prodhuar barna në hapësirë, shfrytëzojnë mikrogravitetin, që lehtëson disa procese prodhuese. Ky është një nga frontet e reja të ekonomisë, prezantuar në Romë në ekspoforumin "New Space Economy 2019", i pari event që i dedikohet plotësisht ekonomisë hapësinore dhe që është mbajtur gjatë panairit në kryeqytetin italian.
Gjatë zhvillimit të ekspozitës, raportojnë agjencitë, ndërmarrja SpacePharma e specializuar për kërkimet farmakologjike në kushtet e mikrogravitetit, ka ilustruar mundësinë për të krijuar barna të reja në hapësirë, duke shfrytëzuar teknologjinë e laboratorëve të mikrogravitetit, në miniaturë.
"Shumë substanca me interes farmakologjik, ka thënë Yossi Amin, drejtor i SpacePharma, siç janë antitrupat monoklonalë, është e vështirë të kristalizohen në Tokë, ndërkohë që kushtet e mikrogravitetit mund të ofrojnë një përmirësim vendimtar".
"Të investosh në hapësirë, do të thotë të investosh në të ardhmen, edhe në kushtet e përmirësimeve konkrete të jetës në tokë, nga sektori i mjekësisë në atë të agrikulturës", nënvizon Roberto Battistoni, astrofizikan dhe shef i komitetit shkencor në ekspoforumin europian "New Space Economy".
Mes temave të prekura gjatë ekspozitës, ka qenë edhe telemjekësia e së ardhmes, mundësitë e inteligjencës artificiale dhe të 5G-së.
"Hapësira mund të ofrojë mundësi të shkëlqyera, ka thënë përgjegjësi i kërkimit në Universitetin e Australisë Perëndimore, Peter Klinken. Distancat e mëdha të territorit australian kanë bërë të mundur zhvillimin e teknologjive të dedikuara telekomandimit, nga robotika, te ekzaminimi në distancë, në shërbimin e telemjekësisë". Edhe grupe italiane kërkimesh, nga institucione shëndetësore të mëdha në vend, kanë nisur të eksplorojnë këto hapësira të reja.