shk272020
Citomegalovirusi. Vaksina e re efikase, pas transplantit të qelizave staminale hematopoietike
Triplex, një vaksinë e re për citomegalovirusin (CMV), ka treguar se redukton përgjysmë normat e komplikacioneve të infeksionit te pacientët që i nënshtrohen transplantimit alogjenik hematopoietik të qelizave staminale (HCT) dhe se krijon imunitet ndaj virusit. Nuk është identifikuar asnjë çështje sigurie e lidhur me vaksinën. Kjo është ajo që del nga rezultatet e një studimi të rastit të fazës 2 të botuar në "Annals of Internal Medicine" dhe të zhvilluar nga kërkues të Qendrës së Kancerit "City of hope" dhe dy qendrave partnere për studimin e kancerit, Dana-Farber dhe M.D. Anderson. Nënshtrimi ndaj HCT-së rrit rrezikun e komplikacioneve për shkak të një riaktivizimi të mundshëm të CMV-së latente te subjektet që marrin transplantin dhe që janë pozitivë për virusin. Terapia parandaluese mund të trajtojë me sukses riaktivizimin e CMV-së, megjithëse agjentët antiviralë kanë efekte anësore të konsiderueshme.
"Si pasojë e kësaj situate, është e qartë se ekziston ende nevoja e paplotësuar e një qasjeje të qëndrueshme për të shtypur riaktivizimin e hershëm e të vonë dhe pasojat e tij", shpjegon Ibrahim Aldoss, bashkautor i studimit. Kërkuesit morën në studim 102 pacientë që iu nënshtruan HCT, të cilët ishin HIV pozitivë për CMV dhe në rrezik të lartë për riaktivizimin e virusit, për të përcaktuar sigurinë dhe efikasitetin e Triplex në reduktimin e komplikacioneve të infeksionit. Pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë Triplex ose placebo në ditët 28 dhe 56 pas transplantimit. Pas 100 ditësh ndjekjeje, studiuesit zbuluan se riaktivizimi i CMV ka ndodhur te 5 pacientë të transplantuar që kishin marrë Triplex dhe te 10 pacientë të trajtuar me placebo.
Për më tepër, megjithëse sistemet e tyre imunitare u dobësuan nga transplantimi, pacientët që morën Triplex, zhvilluan 212% imunitet më të lartë kundër CMV sesa njerëzit në grupin e placebos. Pacientët që iu nënshtruan transplantit nuk raportuan ndonjë efekt anësor të lidhur me vaksinën dhe rezultatet e transplantit ishin të ngjashme në të dyja grupet. Sipas autorëve, këto rezultate sugjerojnë se Triplex-i është i sigurt dhe efektiv për zvogëlimin e komplikacioneve të CMV në pacientët e trajtuar me HCT.
Ann Intern Med. 2020. Doi: 10.7326/M19-2511
https://doi.org/10.7326/M19-2511