Farmaci

pri62020

Aspirina dhe dëmtimi konjitiv. A ka vërtet efekteve parandaluese? Studimi jep përgjigje

A ndikon aspirina në zhvillimin e dëmtimit konjitiv? Me sa duket, jo. Sipas një studimi të botuar në "Neurology", duket se terapia ditore me aspirinë me dozë të ulët nuk ka asnjë ndikim në parandalimin e dëmtimit të ulët konjitiv (MCI), rënies konjitive apo demencës.
"Rezultatet tona sugjerojnë se aspirina nuk duhet të përshkruhet vetëm në bazë të përfitimeve të mundshme konjitive, pasi nuk ka prova të favorshme, ashtu siç nuk kemi gjetur prova që aspirina me dozë të ulët mund të ulë rrezikun e Alzheimerit", shpjegon Joanne Ryan, nga Universiteti Monash, Melburn, Australi, autore kryesore e punimit.

Rezultatet e disa studimeve të mëparshme vëzhguese kanë treguar se përdorimi i aspirinës shoqërohej me një rrezik më të ulët për demencë. Për ta hetuar çështjen më tej, u krye një studim i madh me përzgjedhje rastësore, të kontrolluar me placebo, si vijim i studimit të vitit 2018:  Aspirina në Reduktimin e Ngjarjeve te të Moshuarit (ASPREE), i cili kishte treguar se aspirina me dozë të ulët e marrë çdo ditë, nuk zgjaste mbijetesën e lirë nga paaftësitë te të moshuarit, por rriste rrezikun e hemorragjisë, krahasuar me placebon.
Studimi përfshiu 19114 të rritur të shëndetshëm të moshës 65 deri në 98 vjeç, të cilët u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë aspirinë (100 mg në ditë) ose placebo. Pjesëmarrësit nuk ishin të prekur nga demenca në kohën e regjistrimit në studim dhe u ndoqën për një periudhë mesatare prej 4.7 vjetësh.
Në përfundim të studimit, 488 pjesëmarrës në grupin e aspirinës dhe 476 në grupin e placebos plotësuan kriteret e demencës së dyshuar, pa ndonjë ndryshim domethënës midis dy grupeve. As aftësitë e përgjithshme konjitive dhe as fushat specifike konjitive, të tilla si kujtesa, shpejtësia psikomotore, gjuha dhe funksioni ekzekutiv nuk treguan dallime të rëndësishme midis grupeve. Një numër i përgjithshëm prej 389 pjesëmarrësish zhvilluan incidente MCI, me nivele të ngjashme midis dy grupeve të studimit, ndërsa 1,654 pjesëmarrës zhvilluan rënie konjitive.

"Duke pasur parasysh që inflamacioni luan një rol të rëndësishëm në sëmundjen e Alzheimerit, shpresuam që aspirina me dozë të ulët mund të jetë e dobishme në uljen e rrezikut", thotë Ryan. Sidoqoftë, meqenëse demenca mund të kërkojë vite për t'u zhvilluar, autorët mendojnë se ekziston mundësia që kohëzgjatja e studimit ASPREE, nuk ka qenë e mjaftueshme për të treguar përfitimet e mundshme të aspirinës.
Ekspertët do të vazhdojnë të ndjekin këta pjesëmarrës dhe të hetojnë çdo efekt afatgjatë të aspirinës, ndërsa do të hapin gjithashtu pista të tjera, aktualisht në studim, të tilla si ndikimi i përfshirjes së ndërhyrjeve për uljen e stresit dhe përdorimi i statinave.

Në një editorial shoqërues, David Knopman dhe Ronald Petersen nga Klinika Mayo në Rochester, Minesota pajtohen që kohëzgjatja e studimit mund të ketë ndikuar në rezultatet e tij. Sidoqoftë, ata përfundojnë se, me mbi 19,000 pjesëmarrës të analizuar në gati pesë vjet, fakti që ASPREE nuk kishte ndonjë rezultat domethënës, sugjeron që efekti i dobishëm i aspirinës në fushën konjitive, edhe nëse ekziston, duhet të jetë shumë i vogël.

 

Neurology 2020. Doi: 10.1212/WNL.0000000000009277
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000009277

Neurology 2020. Doi: 10.1212/WNL.0000000000009278
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000009278


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC