qer92020
Vaksina e gripit. BE-ja aprovon kuadrivalenten e parë adjuvante
Komisioni Evropian ka aprovuar përdorimin e vaksinës së parë antigrip kuadrivalente adjuvante në të gjithë Evropën. Kjo vaksinë e re bazohet në teknologjinë e konsoliduar, që është përdorur tashmë në një vaksinë trivalente adjuvante (aTIV), e disponueshme në disa vende evropiane. Tek individët mbi 65 vjeç, aTIV është shfaqur më efektive sesa vaksinat antigrip trivalente standarde jo adjuvante.
Vaksina e re kuadrivalente është krijuar posaçërisht për të mbrojtur të rriturit e moshës 65 vjeç e lart nga katër shtame të gripit sezonal: dy shtame A dhe dy shtame B, krahasuar me dy shtame A dhe një lloj të vetëm B që përmban vaksina aktuale. "Është e rëndësishme të kemi vaksina të përshtatshme për moshën për të ndihmuar njerëzit e moshuar të mbrojnë veten nga gripi, veçanërisht gjatë kësaj kohe", tha Raja Rajaram, Shefe e Çështjeve Mjekësore në Evropë. "Ne e dimë që njerëzit e vaksinuar kanë më pak të ngjarë të sëmuren me grip: kjo kontribuon në vendosjen e një diagnoze diferenciale dhe në lehtësimin e presionit mbi sistemet shëndetësore, tashmë të mbingarkuara nga pandemia Covid-19".
Shtimi i një shtami tjetër B në vaksinën e re mund të sigurojë mbulim shtesë, veçanërisht në stinët e gripit ku shtamet B janë më dominuese, siç ishte 2017/18. Gjatë këtij sezoni, pothuajse gjysma e të gjitha vdekjeve nga gripi në njësitë e kujdesit intensiv që raportonin të dhënat e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, i atribuohen virusit B. Me moshën, njerëzit e moshuar pësojnë një dobësim natyral të sistemit të tyre imunitar, gjë që i bën ata më të prekshëm nga gripi i rëndë. Plakja gjithashtu mund të zvogëlojë reagimin imunitar të trupit ndaj vaksinimeve antigrip. Adjuvanti i pranishëm në aQIV është krijuar për të rritur reagimin imunitar te të moshuarit dhe për të ndihmuar në kompensimin e efekteve negative të plakjes. Vaksina e re kuadrivalente adjuvante do të prodhohet nga Seqirus, një nga prodhuesit kryesorë evropianë për vaksinat e gripit dhe një udhëheqës botëror në parandalimin e gripit. Dhënia e autorizimit të marketingut nga Komisioni Evropian është hapi i parë në procesin e vënies së vaksinës kuadrivalente adjuvante (aQIV) në dispozicion për t'u përdorur në sezonin e gripit 2021/22.
"Si kompani, ne jemi përqendruar në zhvillimin e vaksinave që ofrojnë mbrojtje më të mirë për njerëzit veçanërisht të prekshëm nga gripi. Na vjen mirë që kemi mundësi ta vëmë këtë vaksinë në dispozicion edhe në Evropë, duke u siguruar kështu profesionistëve të kujdesit shëndetësor një mjet shtesë që të jetë në ballë të parandalimit të gripit".
Për më shumë se njëzet vjet në Itali, vaksina trivalente adjuvante është përdorur për të mbrojtur popullatën e moshuar, veçanërisht nëse është në rrezik. Në Mbretërinë e Bashkuar, përveç kësaj, vaksina trivalente adjuvante është ajo që rekomandohet kryesisht në grupmoshën mbi 65 vjeç. Në sezonin e gripit 2018/2019, Sistemi Shëndetësor Britanik (Public Health England) kreu një studim që tregoi se efektiviteti i vaksinës trivalente adjuvante në parandalimin e gripit të konfirmuar nga laboratori ishte 62% (3,4 %, 85.0%). Dihet se në stinët e mëparshme, kur administrohej vetëm vaksina jo adjuvante për të gjitha grupmoshat, efikasiteti te të moshuarit ishte shumë më i ulët se ai në popullatën e rritur.