qer302020
Një medikament i ri shfaq efikasitet kundër lumbagjisë kronike. Ende e pavërtetuar siguria
Tanezumabi, një antitrup monoklonal që pengon aktivitetin nervor, mund të lehtësojë pacientët me lumbalgji kronike, e cila është ende një nga arsyet kryesore pse njerëzit shkojnë te mjeku dhe shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar në të gjithë botën. "Ky është studimi i parë që tregon lehtësim afatgjatë për lumbalgjinë kronike me një dozë të vetme të tanezumabit të administruar nën lëkurë një herë në dy muaj", thotë John Markman, nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Roçesterit (URMC), autori kryesor i studimit të botuar në "Pain". "Ky demonstrim i efektivitetit është një hap i rëndësishëm përpara në kërkimin global për të zhvilluar trajtime joopioide për dhimbjet kronike", shton ai.
Studiuesit janë nisur nga hamendësimi se tanezumabi është një frenues i faktorit të rritjes nervore (NGF), proteinë që në disa individë është e lidhur me dhimbje shpine më të forta dhe kronike. Studimi u krye në 191 vende në tetë shtete të Amerikës së Veriut, Evropës dhe Azisë. Pacientët me lumbalgji kronike, të regjistruar në studim, nuk kishin arritur më parë lehtësim me të paktën tre lloje të ndryshme lehtësuesish të dhimbjes, përfshirë disa opioide dhe konsideroheshin të vështirë për t'u trajtuar. Pacientët me simptoma, shenja dhe dëshmi radiografike të osteoartritit të moderuar deri të rëndë, një çrregullim që zakonisht gjendet te pacientët e moshuar me lumbalgji kronike, u përjashtuan nga studimi. Në analizë, tanezumabi nuk ka rezultuar i lidhur me efekte anësore, shpesh serioze, që janë vëzhguar me opiatet apo me barnat antiinflamatore josteroide (FANS) në trajtimin e lumbalgjisë.
Sidoqoftë, klasa e barnave të cilave u përket, ka qenë e lidhur me problemet artikulare, të cilat ndonjëherë janë mjaft të rënda për të kërkuar zëvendësimin e artikulacionit. Për shkak të këtij shqetësimi, studiuesit i ndoqën pjesëmarrësit për një kohë të gjatë dhe kuptuan se norma e problemeve serioze që kërkojnë zëvendësimin e artikulacionit ishte e ulët. "Në të ardhmen, mjekët mund të kenë nevojë të vlerësojnë rreziqet e ndryshme të operacionit, të përdorimit kronik të opioideve ose FANS-ave, në krahasim me rreziqet e një forme të rrallë, por progresive të problemeve artikulare, të lidhura me bllokimin e faktorit të rritjes nervore. Unë pres që marrëdhënia mes përfitimit dhe rrezikut të jetë e ndryshme për osteoartritin, në krahasim me lumbalgjinë kronike", përfundon Markmani.
Pain 2020. Doi: 10.1097/j.pain.0000000000001928
https://doi.org/10.1097/j.pain.0000000000001928