qer302020
Eritema solare dhe zgjidhja e saj në farmaci. Nga barnat, te kurat natyrale
Eritema solare shfaqet disa orë pas ekspozimit në diell dhe pragu individual i tolerancës ndaj rrezeve UV është shumë i ndryshueshëm; në raste të rënda mund të formohen vezikulat dhe fshikëzat.
Simptomat dhe trajtimi
Eritema solare, ose djegia nga dielli është një gjendje inflamatore akute, e vonuar dhe kalimtare e lëkurës, e lidhur me ekspozimin e tepërt ndaj rrezeve ultraviolet (UV) të diellit, nxirjes artificiale apo fototerapisë. Ajo shfaqet pas disa orësh dhe është gjithnjë e më e rëndë, sa më i madh të ketë qenë ekspozimi. Rrezet UV dëmtojnë ADN-në e shkaktojnë inflamacion dhe apoptozë të qelizave të lëkurës, si dhe hollojnë kapilarët sipërfaqësorë duke shkaktuar eritema. Pragu i tolerancës individuale ndaj rrezatimit UV është shumë i ndryshueshëm dhe varet gjithashtu nga lloji i lëkurës. Në raste të rënda, mund të kemi formimin e fshikëzave apo flluskave (djegia e shkallës së parë), temperaturë dhe gjendje dobësie. Pasojat e djegies nga dielli janë plakja e lëkurës dhe rreziku i shtuar për melanomë dhe kancere të tjera të lëkurës. Pacientit i duhet kërkuar informacion për çdo ekspozim ndaj rrezeve UV, kohëzgjatja e ekspozimit dhe intensiteti.
Simptomat: varen nga shkalla e djegies nga dielli
Ka shkallë të ndryshme të djegies nga dielli. E lehtë: lëkura skuqet pak dhe skuqja zhduket për dy ditë, pa pasoja. Në shkallën e mesme, lëkura shfaqet shumë e kuqe, e ngritur dhe e ndjeshme ndaj dhimbjes. Pas dy-tre ditësh, skuqja zhduket dhe formohet nxirja. E rëndë: lëkura bëhet vjollcë-në të kuqe, dhemb dhe fryhet. Pas katër ditësh krijohet deskuamim dhe një nxirje me njolla. Shkalla shumë e rëndë: lëkurë me flluska dhe deskuamim (djegie e shkallës II), shfaqen dridhje, temperaturë, nauze, dhimbje koke. Më i rrezikuar është fototipi 1 (sy të çelët dhe flokë të verdhë ose të kuq).
Trajtimi: nga barnat, te kurat natyrale
Trajtimi përfshin aplikimin e kozmetikëve dhe barnave me veprim zbutës dhe hidratues. Nëse është e nevojshme, përdoren antihistaminikët lokalë. Kortizonikët me përdorim lokal kanë pak efikasitet, ndërsa sprajet dhe kremrat anestezikë mund të shkaktojnë ndjeshmëri dhe më tej, dermatit. Barnat antiinflamatore josteroide orale mund të lehtësojnë dhimbjen dhe inflamacionin që shoqërojnë eritemën solare. Ibuprofeni është principi aktiv i zgjedhjes së parë, por mund të përdoret gjithashtu acidi acetilsalicilik (vepron kundër temperaturës) dhe paracetamoli. Zgjidhjet natyrale: aplikimi i akullit në pjesët e skuqura, kremi me kalendula, xhel aloe, vaj hipericum dhe garzë e zbutur me ujë të ftohtë e disa pika tretësirë kalendule. Rezultate të mira ka edhe marrja e Ribes nigrumit.
Këshillat e farmacistit
Këshilla kryesore është të parandalohet eritema duke përdorur kremra mbrojtës të përshtatshëm për llojin e lëkurës, që duhet të aplikohen çdo 2 orë dhe pas notit. Gjithashtu, të vishet diçka dhe të mbahet kapelë, duke shmangur ekspozimin në diell në orët e mesditës. Duhet shmangur marrja e barnave fotosensibilizuese. Në rast të eritemës, duhet pirë shumë ujë, të laget lëkura me ujë të freskët ose të aplikohen kompresa të njoma.
Alessandra Margreth