sht112020
AKBPM, ambiente dhe laboratorë të rinj. Tritan Shehu: po fshehin "masakrën" në farmaceutikë, duke e lyer me bojë
Agjencia e Barnave tanimë ka ambiente dhe laboratorë me pajisje të reja për të kontrolluar cilësinë e barnave që hyjnë në tregun shqiptar, por dhe ato që prodhohen nga kompanitë shqiptare. Të paktën kjo pretendohet pas një investimi prej 175 milionë lekësh që është bërë, si për rikonstruksionin e godinës, ashtu edhe për futjen e pajisjeve të reja, për të qenë njësoj si agjencitë e barnave në vende të tjera.
Pas këtij investimi, pritet që të dyfishohet numri i analizave të barnave e gama e tyre, si dhe pritet të kryhen analiza të barnave që nuk janë kryer më parë si p.sh. barna citostatike apo kategori të tjera të barnave duke aplikuar procedurat e Farmakopesë Europiane. Godina e re përfshin sportele të dedikuara për bizneset, për regjistrimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore, për herë të parë dhoma të posaçme frigoriferike për ruajtjen e mostrave, si dhe dy laboratorë modernë, krejtësisht të rinovuar, për testimin e barnave dhe materialeve mjekësore. Ndërtesa e re e AKBPM-së u inaugurua para dy ditësh ku mori pjesë edhe kryeministrit i vendit Edi Rama, ndërkohë që u tha se po punohet për të ngritur sistemin "track and trace", për të kontrolluar të gjithë rrugëtimin e barnave nga prodhuesi te konsumatori dhe po kështu, regjistrimi i barnave dhe dhënia e autorizimeve të mund të bëhet online.
Por, pas ceremonisë për inaugurimin e godinës, ka qenë i menjëhershëm reagimi i ish-kreut të Komisionit të Shëndetësisë prof. dr. Tritan Shehu nëpër rrjetet sociale. Shehu kërkon që SPAK-u të nisë punën dhe të merret me atë që ka ndodhur në farmaceutikë gjatë këtyre viteve, ndërkohë që thekson se Agjencia Shqiptare e Barnave është e vetmja e paakredituar në Europë dhe se barnat e listës me rimbursim, veçanërisht zgjedhjet e para, janë larg standardeve evropianë. Shehu shkon më tej me akuzat, kur thotë se AKBPM-ja nuk bashkëpunon me agjenci të tjera ndërkombëtare për farmakovigjilencën, regjistrimet apo politika medikamentoze, por është thjesht një zyrë e ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas Shehut, AKBPM-ja nuk garanton sigurinë e barnave. Ai shton se ndryshimet që u bënë në ligjin e barnave në vitin 2014 shkatërruan sigurinë e barnave dhe bënë të largohen kompani të mëdha nga tregu farmaceutik shqiptar. Boja me të cilën u lye godina, nuk zhbën "masakrën" në farmaceutikë, deri në hartimin e një ligji të ri për barnat.
Alma Demiraj