sht252020
Vaksina anti-Covid. Në ç'pikë janë testimet në SHBA e Rusi?
Në më pak se tetë muaj, katër vaksina-kandidate kundër Covidit kanë arritur fazën më të përparuar të testimit në SHBA, ndërsa Rusia tashmë po shikon përtej Sputnikut, me kandidaten e parë të saj dhe po përgatitet të regjistrojë një të dytë: është një garë e ngushtë që të kujton garën hapësinore, atë që po zhvillohet në vaksinën kundër pandemisë së shkaktuar nga coronavirusi i ri. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë në krye, por kandidatët në garë janë të paktën 187, 38 prej të cilëve kanë filluar testet njerëzore, sipas listës më të fundit të hartuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
"Një arritje e paprecedent për komunitetin shkencor, tha imunologu Anthony Fauci, drejtor i përgjithshëm i Institutit Kombëtar të SHBA për Sëmundjet Infektive (NIAID), i cili është pjesë e Instituteve Kombëtare të Shëndetit (NIH). Fauci i referohet shpalljes së fazës 3 të kandidates për vaksinë të Janssenit. Kompania Johnson & Johnson planifikon të regjistrojë 60,000 vullnetarë në 215 qendra në Shtetet e Bashkuara. Kjo është kandidatja e katërt që testohet në vend pas asaj të kompanive Moderna, AstraZeneca dhe Pfizer, falë një gare të paparë në lëshimin e autorizimeve.
Ky rezultat "është bërë i mundur nga dekada të përparimeve në teknologjinë e vaksinave dhe një qasje e koordinuar strategjike me qeverinë, industrinë dhe akademinë", tha Fauci, duke e bërë njoftimin me organin amerikan për kërkime dhe biojekësi Barda (Biomedical Advanced Research and Development Authority). Megjithatë, këtë garë në Shtetet e Bashkuara, mund ta frenojë organi që monitoron barnat, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA), e cila po përgatitet të publikojë udhëzime më të rrepta mbi autorizimin e vaksinave Covid-19: një dispozitë që do ta bënte më të vështirë autorizimin e shpejtë të testeve dhe që do të pengonte dëshirën e shprehur disa herë nga Presidenti i SHBA-së Donald Tramp, për të nisur më shumë teste brenda zgjedhjeve në SHBA më 4 nëntor.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin i ka njoftuar anëtarët e Këshillit të Federatës dhe dhomën e lartë të Parlamentit, se pritet së shpejti regjistrimi i një vaksine të dytë kundër coronavirusit të ri. "Sot, sistemi shëndetësor është i gatshëm të luftojë në mënyrë efektive infeksionin nga coronavirusi dhe epideminë sezonale të sëmundjeve të lidhura me të ftohtin", u tha ai senatorëve. Vazhdon kudo gara, aty ku pasuritë kombëtare japin mundësi, për të siguruar doza të mjaftueshme të vaksinave për popullatën: Australia ka nënshkruar një marrëveshje me OBSH-në për të kontribuar me një shumë prej 81 milionë eurosh në aleancën Covax, promovuar nga Aleanca Gavi, për të siguruar qasje të barabartë në vaksinat e sigurta dhe efektive kur të jenë të disponueshme. Sipas Faucit, në fund të garës fituesi nuk do të jetë vetëm një: "Ka të ngjarë që të duhen më shumë regjime të vaksinimit Covid-19 për të përmbushur nevojat globale", tha ai.