tet22020
Kanabidioli përgjysmon krizat epileptike në rastet rezistente ndaj barnave
Kanabidioli, i pranishëm në kanabis, ul deri në 54% frekuencën e krizave te pacientët me sindromën Dravet ose Lennox-Gastaut, me epilepsi rezistente ndaj barnave dhe efekti i tij është i dukshëm edhe në plan afatgjatë. Kjo është diskutuar gjatë ditës së hapjes së Kongresit të 43-të Kombëtar të Legës Italiane kundër Epilepsisë (LICE), që po zhvillohet në versionin online.
Rezultatet e studimit
Sipas të dhënave të paraqitura nga Grupi i Studimit të Kanabisit terapeutik të LICE-s, të mbledhura në fund të një viti studimesh klinike në një kampion prej rreth 100 pacientësh në terapi me kanabidiol të pastër, që merrnin medikamentin Epidyolex, është bërë e mundur të verifikohej një reduktim mesatar i frekuencës së krizave epileptike 40-54%; te 51 pacientë, edhe pas 12 muajve të trajtimit. Ngjarje të pafavorshme (jo të lidhura me dozën) u raportuan nga gjysma e pacientëve në trajtim, por serioze në vetëm 9% të rasteve. Në veçanti, mbledhja e të dhënave klinike të kryera nga grupi i studimit të LICE-s përfshiu një kampion pacientësh, si fëmijë ashtu edhe të rritur, me epilepsi rezistente ndaj barnave, në kontekstin e sindromës Dravet ose sindromës Lennox-Gastaut.
Brenda këtij viti, bari do të jetë i përshkrueshëm në Itali
"Mendimi i përbashkët i të gjithë atyre që i janë përkushtuar kësaj fushe të rëndësishme interesi, shpjegoi Dr. Monica Lodi, këshilltare në LICE dhe koordinatore e grupit studimor "Kanabisi terapeutik", "është se rruga është akoma e gjatë, por interesante, mbi të gjitha në dritën e perspektivave të reja. Qëllimi ynë është të thellojmë më tej këtë fushë veprimi duke filluar nga të dhënat klinike objektive që kemi mundur të gjejmë".
"Këto rezultate, përfundoi profesor Oriano Mecarelli, president i LICE-s, janë shumë inkurajuese dhe duhet të verifikohen në më shumë raste të njerëzve me epilepsi rezistente ndaj barnave, madje edhe me sindroma të tjera nga ato për të cilat do të autorizohet medikamenti Epidyolex. Në Itali, kanabidioli "i pastër", mund të jetë i përshkrueshëm deri në fund të vitit, mbi bazën e një plani trajtimi specifik për pacientët me Sindromën Dravet dhe Sindromën Lennox-Gastaut me moshë më të madhe se dy vjeç dhe në trajtimin e njëkohshëm me Clobazam".