dhj182020
Covid-19. Pacientët e shtruar në spital, mund të përfitojnë nga baricitinibi dhe remdesiviri
Sipas një studimi të botuar në "New England Journal of Medicine", një terapi e kombinuar me frenuesin e janus kinazës baricitinib dhe antiviralin remdesivir ka qenë në gjendje të reduktonte kohën e rigjenerimit për njerëzit e shtruar në spital me Covid-19. "Remdesiviri është aprovuar në më shumë se 70 vende si trajtim për të rriturit me artrit reumatoid aktiv mesatar deri të rëndë dhe ne kemi hamendësuar se një terapi që synon inflamacionin mund të jetë e dobishme për pacientët, pasi shumë simptoma të rënda të Covid-19 janë shkaktuar nga një përgjigje inflamatore e rregulluar keq", thotë Andre Kalil, nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Nebraskës në Omaha, SHBA, autori kryesor i studimit.
Studiuesit regjistruan 1,033 pjesëmarrës vullnetarë në tetë vende dhe i përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë një regjim trajtimi me tableta orale baricitinib dhe remdesivir intravenoz, ose tableta orale placebo dhe remdesivir intravenoz. Rezultatet e analizës treguan se kombinimi i baricitinibit me remdesivirin uli kohën mesatare të shërimit te pacientët e shtruar me Covid-19, që shkoi nga tetë, në shtatë ditë. Duket se pacientët që kanë nevojë për oksigjen me fluks të lartë ose ventilim jo invaziv, kanë arritur përfitimin më të madh gjatë shtrimit në spital, me kohën mesatare të shërimit të zvogëluar nga 18 ditë në 10 ditë.
Për më tepër, gjendja e pjesëmarrësve në ditën e 15-të të studimit, e matur në një shkallë që vlerësonte ashpërsinë e saj, u përmirësua ndjeshëm me kombinimin e dy terapive. Jo vetëm kaq. Vdekshmëria në 28 ditë ishte 5.1% në grupin e terapisë së kombinuar dhe 7.8% në grupin e kontrollit dhe ata që morën të dyja barnat, patën më pak efekte anësore, ndonëse diferenca ishte e lehtë. Studiuesit paralajmërojnë se krahasimi i këtij regjimi trajtimi me terapitë e tjera, të tilla si deksametazoni është i vështirë, pasi mungojnë studimet e krahasimit të drejtpërdrejtë.
"Këto rezultate, megjithatë, duket se tregojnë se nga terapia me baricitinib kombinuar me remdesivirin mund të përfitojnë disa pacientë me Covid-19 dhe kombinimi meriton thellime të mëtejshme", përfundojnë autorët.
NEJM 2020. Doi: 10.1056/NEJMoa2031994
http://doi.org/10.1056/NEJMoa2031994