mar222021
Italia përfshin farmacistët në fushatën e vaksinimit. Vaksina anti-COVID do të gjendet edhe në farmaci
Vaksina anti-COVID do të gjendet në farmaci dhe farmacistët do të jenë të përfshirë në fushatën qeveritare të vaksinimit. Kjo është e reja e parashikuar në pikën e tretë të Dekretit Italian të Mbështetjes 2021, aprovuar të premten e shkuar në CDM, ku flitet për "një financim prej 2.1 miliardësh për blerjen e vaksinave dhe prej 700 milionësh për blerjen e barnave të tjera anti-Covid; mundësia që ndërmarrjet dhe entet e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (SSN) të përdorin shërbime shtesë nga ana e mjekëve, infermierëve dhe asistentëve shëndetësorë, gjithashtu në heqjen e kufijve që janë në fuqi për shpenzimet e personelit; përfshirja e farmacive në fushatën e vaksinimit; mbështetja për personelin mjekësor dhe shëndetësor, përfshirë personelin ushtarak; zgjatja deri më 31 maj 2021 e mundësisë së përdorimit të strukturave hoteliere ose pritëse për të akomoduar njerëz nën mbikëqyrje shëndetësore dhe vetëkarantinim, kur masa të tilla nuk mund të zbatohen në shtëpinë e personit në fjalë".
Ndërkohë, me mbërritjen e vaksinës anti-Covid Johnson&Johnson's në Itali nga mesi i prillit, mbërrijnë edhe njoftimet e para nga rajonet. Lacio ka shpallur se "posa të vijë vaksina me një dozë të vetme J&J, ajo do të çohet në farmaci ku edhe do të administrohet", siguroi këshilltari i shëndetësisë së rajonit, Alessio D'Amato.
Farmacistët "gati për një protokoll operativ kombëtar"
Vendimi i qeverisë është mirëpritur me "kënaqësi ekstreme", nga të interesuarit e drejtpërdrejtë. Për Federatën e Urdhrave të Farmacistëve Italianë (FOFI) dhe Federatën e titullarëve Federfarma, në fakt, "kjo zgjedhje, vlerëson rrjetin e farmacive dhe profesionalizmin e farmacistëve të cilët janë pjesë përbërëse e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar, në sinergji me mjekët, infermierët dhe të gjithë operatorët vendorë të shëndetësisë", deklarojnë FOFI dhe Federfarma në një shënim të përbashkët, duke thënë se "që tani ata janë të gatshëm për të zhvilluar një protokoll operativ kombëtar, të përforcuar edhe nga përvoja pozitive e testeve të shpejta në farmaci".
"Rrjeti italian me mbi 19 mijë farmaci publike dhe private dhe mbi 70 mijë farmacistë të komunitetit, nënvizojnë ata, ka dhënë gjatë pandemisë një përgjigje efikase dhe të vazhdueshme ndaj nevojave të popullsisë dhe të SSN-së, duke garantuar jo vetëm asistencë farmaceutike, por edhe shërbime të tjera që u bënë të nevojshëm për shkak të urgjencës, siç janë tamponët e shpejtë. Në këta muaj të vështirë, angazhimi i të gjithë farmacistëve ka qenë dhe vazhdon të jetë vendimtar".
"Për t'i dhënë vlerësimin e duhur punës së bashkëpunëtorëve të tjerë, specifikojnë ata, është e nevojshme të arrihet një përfundim pozitiv i negociatave për rinovimin e kontratës sa më shpejt të jetë e mundur, që farmacistët dhe farmacitë të përballojnë këtë detyrë të re dhe shumë të rëndësishme, në kushtet më të mira në të gjithë territorin kombëtar".
"Futja në sistem e këtij rrjeti profesionistësh dhe qendrash shëndetësore për të administruar vaksinën anti-Covid në popullatë është një hap vendimtar dhe koherent me planin kombëtar të vaksinimit të Gjeneralit Figliuolo, i cili kërkon një angazhim të mëtejshëm që do të përmbushet me kompetencë dhe përgjegjësi", theksojnë FOFI dhe Federfarma.
"Farmacistët dhe farmacitë, përfundojnë ata, janë krenarë që do të japin kontributin e tyre në luftën kundër Covid-19, duke shumëfishuar pikat e vaksinimit për ta bërë këtë shërbim të rëndësishëm lehtësisht të arritshëm për qytetarët, duke e arritur mbulimin e popullsisë me vaksina në mënyrë të sigurt dhe të shpejtë".
Burimi: Adnkronos