pri262021
Sars-CoV-2. Antitrupi i ri monoklonal tregon efikasitet ndaj varianteve
Një studim i botuar në "Nature" raporton zhvillimin e një lloji të ri antitrupash monoklonalë neutralizues bispecifikë, që do të ishin në gjendje edhe të mbronin nga variantet e reja të Sars-CoV-2. Antitrupi u zhvillua si pjesë e projektit kërkimor të Terapisë së Antitrupave Kundër Coronavirusit (ATAC), financuar nga Këshilli Evropian i Kërkimit (ERC), në të cilin mori pjesë Poliklinika San Matteo në Pavia, Instituti Karolinska, Stokholm, Instituti i Kërkimit Biomjekësor (IRB) në Zvicër, Universiteti i Braunschweig-ut në Gjermani dhe Qendra e Përbashkët e Kërkimit (JCR) e Komisionit Evropian, si dhe Universiteti Rockefeller i Nju Jorkut.
"Projekti i hulumtimit synonte të zhvillonte një imunoterapi kundër Covid-19 duke përdorur tre qasje të ndryshme për të maksimizuar mundësitë e suksesit dhe për të shfrytëzuar përparësitë e secilës qasje. Qasja e parë u bazua në imunoterapinë me plazmë hiperimune dhe u zhvillua kryesisht në Pavia. E dyta, imunoterapia me gama-globulinë, u ndoq nga Instituti Karolinka i Stokholmit, ndërsa qasja e imunoterapisë duke përdorur antitrupa monoklonalë, u zhvillua nga Technische Universität Braunschweig dhe nga IRB-ja e Zvicrës", shpjegon Fausto Baldanti, nga San Matteo i Pavias, bashkautor i studimit.
Ekspertët kanë zhvilluar një molekulë specifike të ngjashme me IgG1, të quajtur CoV-X2, bazuar në C121 dhe C135, dy antitrupa që rrjedhin nga dhuruesit e shëruar nga Covid-19. CoV-X2 lidhet njëkohësisht me dy zona të pavarura në RBD (Receptor Binding Domain) dhe, ndryshe nga antitrupat e tij prindëror, parandalon lidhjen e proteinës kunj me receptorin qelizor të virusit, enzimën e konvertimit të angiotenzinës 2 (ACE2). Për më tepër, CoV-X2 neutralizon Sars-CoV-2 e egër (wild type) dhe variantet e tij shqetësuese, si dhe mutantët e gjeneruar nga antitrupat monoklonalë prindërorë. Ekspertët vunë re gjithashtu se në një model miu me infeksion nga Sars-CoV-2 me inflamacion të mushkërive, CoV-X2 i mbron minjtë nga sëmundja dhe shtyp "arratisjen virale".
"Ky antitrup i ri bispecifik ka efikasitet dhe karakteristika që e bëjnë atë një kandidat të shkëlqyer për studimet klinike, me potencial të mirë për përdorim si në parandalimin e sëmundjes, ashtu edhe në kurimin e pacientit", përfundojnë autorët.
Nature 2021. Doi: 10.1038/s41586-021-03461-y
https://doi.org/10.1038/s41586-021-03461-y