maj142021
Integratori kundër plakjes përmirëson metabolizmin muskular të glukozës
Një studim pilot i nënshkruar nga studiuesit e Universitetit të Uashingtonit në St. Louis dhe kryer mbi 25 gra në menopauzë, me prediabet, tregon se mononukleotidi nikotinamid (NMN), një integrator kundër plakjes, përmirëson aftësinë e insulinës për të shtuar përthithjen e glukozës në muskujt skeletorë, shpesh e pakësuar në rastet e mbipeshës, prediabetit ose diabetit të tipit 2 (DM2). Por, jo vetëm kaq. Nikotamidi përmirëson edhe shprehjen e gjeneve të përfshira në strukturën muskulare dhe në rimodelim, ndërsa nuk ndikon në asnjë mënyrë mbi gliceminë apo presionin e gjakut dhe as në profilin lipidik, apo në ndjeshmërinë hepatike ndaj insulinës.
Studimi, i cili sapo është botuar në revistën "Science", është studimi i parë klinik me përzgjedhje rastësore që shqyrton efektet metabolike të administrimit të nikotamidit: nga 25 pjesëmarrëse, 13 morën 250 mg nikotamid oral në ditë për 10 javë dhe 12 vetë morën placebo joaktive çdo ditë gjatë së njëjtës periudhë. "Megjithëse studimi ynë tregon një efekt të dobishëm të nikotamidit në muskujt skeletorë, është e parakohshme të bësh rekomandime klinike bazuar në këto rezultate", tha bashkautori Samuel Klein, profesor i mjekësisë e shkencave nutricionale dhe drejtor i Qendrës së Nutricionit Njerëzor, duke kujtuar se kur një trajtim përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës në muskujt skeletorë, siç shihet me rënien në peshë ose me disa barna antidiabetike, ka edhe përmirësime në shënjues të tjerë të shëndetit metabolik, gjë që nuk është vënë re në rastin e mononukleotidit nikotinamid. Kleini konkludon: "Insulina përmirëson përthithjen dhe ruajtjen e glukozës në muskuj, kështu që njerëzit që janë rezistentë ndaj insulinës, janë më të rrezikuar për të zhvilluar diabet të tipit 2. Megjithatë, janë të nevojshme studime të mëtejshme me grupe më të mëdha rastesh, për të përcaktuar nëse nikotamidi ka efekt të dobishëm në parandalimin ose menaxhimin e prediabetit ose diabetit".
Science 2021. Doi: 10.1126/science.abe9985
http://doi.org/10.1126/science.abe9985