qer32021
Ndërrimi i stinës. Lodhja, ankthi, pagjumësia dhe çrregullimet intestinale. Këshillat e farmacistit
Me ndërrimin e stinës shumë njerëz shfaqin simptoma të tilla, si: lodhja, pafuqia, nervozizmi, ankthi dhe pagjumësia, por edhe intestini iu nënshtrohet efekteve që kanë zakonet e reja, të cilat mund të ndryshojnë mikroflorën bakteriale. Nuk është rastësi që pacientët hyjnë në farmaci duke u ankuar mbi të gjitha për çrregullimet gastrointestinale, refluksin, dhimbjen e kokës, lodhjen dhe pafuqinë. Për të gjitha këto, këshilla e parë në banak janë integratorët alimentarë. Këtë e ka nënvizuar Carolina Carosio, presidente e FENAGIFAR-it, në një konferencë shtypi kushtuar çështjes së shqetësimeve që lidhen me ndryshimin e stinës.
Çrregullimi afektiv sezonal: lodhje, pafuqi, nervozizëm
Me ardhjen e verës, orët e dritës shtohen, duke ndikuar në ritmet cirkadiane, ambienti i jashtëm ndryshon, me ndryshime të papritura të temperaturës dhe lagështisë dhe ndryshojnë edhe zakonet tona. Kjo do të thotë që edhe organizmi është "i detyruar" të pësojë një ndryshim dhe nuk është e pazakontë që reagimi ndaj kësaj ngjarjeje të shfaqet përmes sinjaleve të bezdisshme. Ndërrimi i stinës, në fakt, mund të shkaktojë të ashtuquajturin Çrregullim Afektiv Sezonal (SAD, si "i trishtuar" në anglisht). Janë të shumtë njerëzit që shfaqin simptoma të ndryshme si lodhje, rraskapitje, nervozizëm, ankth, pagjumësi, etj. "Sindroma ose letargjia pranverore, përfshin lodhje të tepruar, vështirësi në përqendrim dhe një ndjenjë dobësie të përgjithshme", shpjegon Maria Luisa Cravana, biologe nutricioniste. "Shumë njerëz në këtë periudhë ndihen vazhdimisht të pafuqishëm dhe të pamotivuar, sikur të mos kishin karburantin e duhur për të çuar përpara aktivitetet e shumta ditore".
Faza e stabilizimit të intestinit
Në këtë periudhë delikate, edhe intestini i nënshtrohet një faze të menaxhimit të zakoneve të reja, të cilat mund të ndryshojnë mikroflorën bakteriale. "Lidhja midis ndryshimit të stinës dhe çrregullimeve të tretjes është e qartë", shpjegon Paolo Orsi, gastroenterolog. "Shpesh vihet re një intensifikim i çrregullimit, në subjekte tashmë të predispozuara dhe raste të reja të ndryshimeve dhe disbiozës së aparatit gastrointestinal. Në këtë periudhë shfaqen aspekte psikosomatike dhe gjithashtu ndryshime të disa neurotransmetuesve që veprojnë drejtpërdrejt dhe indirekt në intestin. Ndryshimet e temperaturës, karakteristike të periudhës, për më tepër, mund të shkaktojnë një rënie të mbrojtjes imunitare... dhe intestini është i lidhur ngushtë me sistemin imunitar. Intestini, në fakt, nuk është vetëm organi kryesor i tretjes te njerëzit. Ai, kontribuon gjithashtu në mënyrë të konsiderueshme në mbrojtjen imune të trupit. Mjafton të themi se rreth 70% e qelizave imune të organizmit ndodhen në intestin".
Ushqimi i duhur, zakonet e mira dhe aktiviteti i rregullt fizik
Ushqimi sigurisht që luan një rol shumë të rëndësishëm: parandalon sikletet, kur është i duhuri, ose, përkundrazi, i përkeqëson ato, kur është i gabuar. Dieta, në fakt, është një faktor kryesor që ndikon në përbërjen e mikrobiotës intestinale, por që të jetë me të vërtetë efektive, duhet të bëhet një zakon. "Është e preferueshme të konsumohen vakte të lehta të pasura me fruta të freskëta dhe të thata, perime, drithëra integrale, mish pa dhjamë, ushqime të pasura me vitamina dhe të shmangen ushqime që janë të vështira për t'u tretur", thekson dr. Cravana. "Është mirë të konsumohen ushqime të fermentuara, të tilla siç është kosi, fibra, drithëra integrale dhe të shmanget konsumimi i tepërt i mishit, ushqimeve të skuqura, ushqimeve pikante, çokollatës, djathërave të staxhionuar dhe natyrisht, i pijeve të gazuara dhe alkoolit". "Gjatë ndërrimit të stinëve", thotë Carolina Carosio, "pacientët hyjnë në farmaci duke u ankuar mbi të gjitha për çrregullimet gastrointestinale, refluksin, dhimbjet e kokës, lodhjen dhe pafuqinë. Për të gjitha këto çrregullime, qasja me suplementet ushqimore është këshilla e parë e farmacistit, shpesh vendimtare dhe lehtësisht e menaxhueshme nga të gjithë pacientët. U duhet dhënë përparësi karakteristikave të brendshme të produkteve, përsa i përket cilësisë së formulimit dhe veprimeve fiziologjike. Kjo është gjithmonë zgjedhja më e mirë, si për profesionistin që jep këshillat, ashtu edhe për pacientin që i zbaton ato".