qer112021
Covid-19. Përdorim i tepruar i antibiotikëve. Në më të shumtën e rasteve, janë të panevojshëm
Shumë antibiotikë të padobishëm për të trajtuar Covid, të cilat shpesh administrohen te pacientët edhe në mungesë të një infeksioni bakterial, përveç atij viral. Për këtë "nevojiten masa", siç është përshkrimi i këtyre barnave vetëm pasi një test ka konfirmuar infeksionin bakterial, për të shmangur një shtim afatgjatë të infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve, një problem që tashmë përbën një alarm global. Ky është rezultati i një studimi të udhëhequr nga Universiteti i Glasgout dhe botuar në "Lancet Microbe", në rreth 50 mijë pacientë me Covid të shtruar në disa spitale britanike në Angli, Skoci dhe Uells, në periudhën shkurt-qershor 2020.
"Para se të shtroheshin në spital, 37% e pacientëve - shkruajnë studiuesit - kishin marrë antibiotikë për sëmundjen e tyre. Në spital, në 85% të rasteve u administrua të paktën një antibiotik". Vetëm 18% e mostrës u testua për infeksione bakteriale: nga këto, 13% kishin infeksione të frymëmarrjes ose kardiovaskulare. Për të bërë krahasimin, studiuesit vërejnë se infeksionet bakteriale ndodhin në rreth 23 për qind të atyre me grip të rëndë. Ekipi i studiuesve zbuloi se infeksionet bakteriale përveç infeksioneve virale të Covid, gjatë valës së parë në Britaninë e Madhe, ishin të rralla, ndërsa në të njëjtën kohë, përdorimi i antibiotikëve ishte i lartë.
"Nuk mund të habitemi me përdorimin e tepruar të antibiotikëve - thotë Antonia Ho, konsulente e universitetit skocez - kur kujtojmë se një vit më parë pacientët ishin shumë të sëmurë, terapitë ishin të kufizuara dhe roli i infeksioneve të mundshme, i panjohur. Duke pasur parasysh që rezistenca ndaj antibiotikëve mbetet një sfidë e madhe e shëndetit publik, masat për ta luftuar atë janë thelbësore për të siguruar që këto barna që shpëtojnë jetën, të mund të mbeten të tilla në vitet e ardhshme".