gus192021
Kanceri i mushkërive me mutacion G12C. Bari efektiv në reduktimin e përmasave
Sipas një studimi të fazës 2 të botuar në New England Journal of Medicine, sotorasibi, medikament i miratuar kohët e fundit nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave, është në gjendje të reduktojë përmasat e tumorit dhe të përmirësojë mbijetesën në pacientët me adenokarcinomë pulmonare të shkaktuar nga një mutacion specifik i AND-së (mutacioni G12C) në gjenin KRAS, të cilët i janë nënshtruar të paktën një terapie të mëparshme për kancerin. Studimi i fazës 2 u drejtua nga Ramaswamy Govindan (Universiteti i Uashingtonit).
Sotorasibi, që merret çdo ditë në rrugë orale, ndalon rritjen e tumorit duke bllokuar proteinën KRAS në formën e saj joaktive. "Ky është një grup pacientësh me kancere që janë të vështira për t'u trajtuar dhe për të cilët ne nuk kishim terapi të synuara", shpjegon Govindani. Studimi përfshiu 126 pacientë, shumica e të cilëve ishin trajtuar më parë me kimioterapi standarde bashkë me një bar imunoterapik që synonte PD-1. Për të vlerësuar këtë terapi të re, të gjithë pacientët në studim u trajtuan me sotorasib. Bari shkaktoi të paktën një tkurrje të tumorit në 102 nga 126 pacientë (82%) dhe rreth 37% e tumoreve të pacientëve u tkurrën me të paktën 30%, ndërsa normat standarde të përgjigjes së terapisë në këtë popullatë ndryshuan përgjithësisht nga 6%, në 20%. Tumoret e 42 vetëve (34%) treguan një përgjigje të pjesshme ndaj terapisë dhe katër (3%) treguan një përgjigje të plotë që nuk la shenja të sëmundjes.
Për kanceret që u tkurrën, rënia ishte mesatarisht rreth 60%. Efektet e sotorasibit zgjatën për një mesatare prej 11 muajsh dhe bari ka sjellë edhe një mbijetesë pa përparim prej gati shtatë muajsh, ndërsa pacientët që merrnin terapi standarde kishin një mbijetesë mesatare pa përparim prej dy deri në katër muajsh. Mbijetesa mesatare e përgjithshme për të gjithë pacientët në studim ishte 12.5 muaj. Rreth 7% e pacientëve e ndërprenë trajtimin me sotorasib për shkak të efekteve anësore të rënda, por asnjë efekt anësor nuk ishte kërcënues për jetën dhe asnjë pacient nuk vdiq nga trajtimi. Bari shkaktoi ngjarje negative mjaftueshëm të rënda për të kërkuar uljen e dozës në afërsisht 22% të pacientëve. Pothuajse 70% e pacientëve përjetuan efekte anësore të lidhura me barin; më të zakonshmet ishin: diarre, lodhje, nauze dhe rritje e nivelit të enzimave hepatike.
NEJM 2021. Doi: 10.1056/NEJMoa2103695
http://doi.org/10.1056/NEJMoa2103695