jan262023
Kanceri i kanalit biliar. Trajtimi i personalizuar përmirëson rezultatet
Një trajtim i ri i personalizuar mund të përmirësojë rrënjësisht perspektivën për disa pacientë me kancer të kanalit biliar, sipas një studimi të botuar në "New England Journal of Medicine".
Mundësitë e trajtimit për kancerin e kanalit biliar janë të pakta dhe mbijetesa është e dobët. Futibatinibi, një frenues i receptorit të faktorit të rritjes fibroblaste (FGFR) 2, i miratuar vitin e kaluar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), synon një ndryshim të veçantë gjenetik, të quajtur fuzioni FGFR2, i cili është i pranishëm në rreth 14% të tumoreve të kanalit biliar.
"Gjetjet tona e ndryshojnë trajtimin për këtë grup pacientësh. Në vend që t'i menaxhojmë ata me kimioterapi, e cila së bashku me kancerin sulmon edhe qelizat e shëndetshme, ne mund t'i ofrojmë atyre një trajtim të personalizuar që synon vetëm një ndryshim specifik brenda tumorit. Është e rëndësishme që pacientët me kancer të kanalit biliar të testohen për të zbuluar nëse e kanë këtë anomali", thotë autori kryesor i studimit John Bridgewater nga Kolegji Universitar i Londrës.
Studiuesit përzgjodhën në mënyrë rastësore 103 pacientë me kancer të kanalit biliar, të cilët kishin kryer të paktën një seancë kimioterapie. Futibatinibi oral rezultoi të ishte më efektiv se kimioterapia në reduktimin e madhësisë së tumorit, me një zvogëlim prej më shumë se 40% krahasuar me 25% të kimioterapisë.
Medikamenti prodhoi edhe efekte anësore, të cilat në krahasim me kimioterapinë ishin modeste. Pacientët e trajtuar mbijetuan deri në dy vjet, edhe pse kishin kancer të avancuar dhe ndonjëherë kishin kryer deri në pesë trajtime të tjera përpara se të bëheshin pjesë e studimit.
Aktualisht ka frenues të tjerë FGFR në përdorim klinik, duke përfshirë pemigatinibin, të miratuar për përdorim në Britani nga NICE (National Institute of Health and Care Excellence).
Edhe pse, frenuesit ekzistues FGFR dihet se janë të ndjeshëm ndaj rezistencës, testet laboratorike kanë treguar se ky ka më pak gjasa të jetë një problem me futibatinibin, pasi ai synon anomalitë e FGFR në një mënyrë më specifike, dhe për këtë arsye ka të mund të jetë më efektiv se barnat ekzistuese.
NEJM 2023. Doi: 10.1056/NEJMoa2206834
http://doi.org/10.1056/NEJMoa2206834