tet52021
Statinat. Dhimbjet e muskujve nuk i shkakton gjithmonë medikamenti
Dhimbjet e muskujve dhe dhimbjet që pacientët ua atribuojnë statinave, shpesh nuk janë ngjarje negative të shkaktuara nga bari, por më tepër nga pritshmëritë e përdoruesit. Ky është përfundimi në të cilin ka dalë studimi me përzgjedhje rastësore, SAMSON (akronim për: Self-Assessment Method for Statin Side-effects or Nocebo), publikuar në New England Journal of Medicine.
"Këto të dhëna nuk lënë asnjë dyshim: pacientët me të vërtetë kanë efekte anësore për shkak të tabletave të statinave, por 90% e barrës simptomatike të raportuar shkaktohet gjithashtu nga tabletat placebo. Kështu pra, në pjesën më të madhe të rasteve, ky është një efekt nocebo", thotë bashkautori James Howard (Imperial College London). "Me fjalë të tjera, shumica e simptomave muskulare të lidhura me statinat ka të ngjarë të nxiten nga akti i marrjes së tabletave dhe jo nga fakti që tabletat përmbajnë një statinë", shton Peter Toth (Qendra për Parandalimin e Sëmundjeve Kardiovaskulare, Johns Hopkins University School of Medicine në Baltimorë), në një artikull komentues. Kështu rezulton nga analiza e të dhënave që kanë të bëjnë me 35 burra dhe 25 gra që morën pjesë në studim, për të marrë atorvastatinë 20 mg/ditë, placebo ose asnjë tabletë për një muaj, në mënyrë alternative të rastësishme gjatë 12 muajve, kështu që secila nga tre skemat u mbajt për 4 muaj. Të gjithë pjesëmarrësve iu kërkua të dokumentonin ashpërsinë e efekteve negative të perceptuara në një aplikacion smartphone, gjë që ka rezultuar mesatarisht 8.0 në muajt pa tableta, 15.4 në muajt me placebo dhe 16.3 në muajt me atorvastatinë.
"Ne llogaritëm një raport të përgjithshëm nocebo prej 0.90, të përcaktuar si diferenca midis intensitetit të simptomave me placebo dhe pa pilulë, të pjesëtuar me ndryshimin midis intensitetit të simptomave me atorvastatinë dhe pa pilulë", shkruajnë autorët. Dhe Howardi, përfundon: "Kjo do të thotë se 90% e barrës së simptomave të raportuara nga pacientët që marrin atorvastatinë u ndje gjithashtu me placebo dhe mund t'i atribuohet efektit nocebo.".
JACC 2021. Doi: 10.1016/j.jacc.2021.07.022
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2021.07.022
JACC 2021. Doi: 10.1016/j.jacc.2021.07.025
https://doi.org/10.1016/j.jacc.2021.07.025