Farmaci

mar92021

Dhimbja e muskujve. Studiohet hipoteza nëse e shkaktojnë statinat

Përfundimet e një studimi të botuar në "British Medical Journal" nuk zbuluan asnjë efekt të statinave krahasuar me placebon, në frekuencën ose ashpërsinë e simptomave muskulare te njerëzit që raportuan simptoma të konsiderueshme mialgjike gjatë terapisë me barin për uljen e yndyrnave.
"Statinat përdoren gjerësisht në parandalimin e ngjarjeve kardiovaskulare dhe megjithëse efektet anësore serioze janë të rralla, shumë njerëz besojnë se ato mund të shkaktojnë dhimbje dhe ngurtësi të muskujve, megjithëse nuk ka prova të qarta mbështetëse klinike", shpjegon autorja kryesore Emily Herrett, profesore e asociuar e Epidemiologjisë në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, që për t'u thelluar në këtë argument, ka vendosur së bashku me kolegët të verifikojë efektin e barit në simptomat muskulare te 200 njerëz të cilët kohët e fundit kishin ndërprerë ose po mendonin të ndërprisnin trajtimin me statina, për shkak të mialgjive të raportuara.

Të gjitha subjektet u përzgjodhën në mënyrë rastësore në një sekuencë prej gjashtë periudhash me trajtim dyfish të verbër (dy muaj secila) me atorvastatinë 20 mg në ditë ose placebo dhe në fund të çdo periudhe trajtimi, pjesëmarrësve u kërkohej të vlerësonin simptomat e tyre muskulare në një shkallë analogjike vizuale (0-10).
"151 pacientë ofruan rezultate të simptomave për të paktën një periudhë me statina dhe një periudhë me placebo dhe u përfshinë në analizën përfundimtare", shkruajnë autorët, të cilët nuk vunë re asnjë ndryshim në rezultatet e simptomave muskulare midis periudhës me statina dhe asaj me placebo. Raportimet për mialgji të patolerueshme ishin 18 (9%) gjatë një periudhe me statina dhe 13 (7%) gjatë një periudhe me placebo dhe dy të tretat e atyre që përfunduan studimin raportuan se kishin nisur ta rimerrnin trajtimin afatgjatë me statina.
"Dhimbja e muskujve, e zakonshme në grupmoshën e pacientëve që marrin statina, mund të verifikohet në të njëjtën kohë me përdorimin e barit, duke bërë që pacientët dhe mjekët t'ia atribuojnë dhimbjen gabimisht trajtimit të vazhdueshëm. Por, nga ky studim, bazuar në matjet e përsëritura dyfish të verbra të dhimbjes së muskujve, del se efekti i atorvastatinës në mialgji është i krahasueshëm me atë të placebos", përfundon Herretti.

 

BMJ 2021. Doi: 10.1136/bmj.n135
https://doi.org/10.1136/bmj.n135


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC