Farmaci

dhj32021

Shumë njerëz hipertensivë, marrin barna që e ngrenë tensionin

Në Shtetet e Bashkuara, rreth 18 për qind e të rriturve me hipertension marrin medikamente që mund të ngrenë presionin e gjakut. Këtë e thotë një studim i botuar në Jama Internal Medicine bazuar në të dhënat e një sondazhi, rezultatet e të cilit tregojnë një lidhje midis përdorimit të këtyre barnave dhe mundësisë më të madhe për hipertension të pakontrolluar tek ata që nuk marrin antihipertensivë dhe përdorimit më të madh të antihipertensivëve, tek ata që vuajnë nga hipertensioni, qoftë i kontrolluar, apo jo.

Siç shpjegojnë autorët, shumica e të rriturve me hipertension në SHBA nuk i përmbushin objektivat e rekomanduara të presionit të gjakut, si dhe përdorin medikamente që mund të rrisin presionin e gjakut, çështje kjo, që është neglizhuar. "Duke pasur parasysh tendencat kombëtare drejt polifarmacisë, përdorimi i barnave që rrisin presionin e gjakut mund të kontribuojë në normat e dobëta të kontrollit të presionit të gjakut dhe madje të përkeqësojë polifarmacinë", shkruajnë ata. Prandaj, qëllimi i studimit ishte të karakterizonte prevalencën e përdorimit të barnave që mund të rrisin presionin e gjakut dhe të vlerësonte lidhjen e tij me kontrollin e presionit të gjakut dhe me përdorimin e antihipertensivëve. Në studimin ndërseksional, u shqyrtuan të dhënat nga 5 cikle të anketës së NHANES-it (National Health and Nutrition Examination Survey), që mbulojnë vitet 2009-2018, për një numër të përgjithshëm prej 27,599 të rriturish.
Analiza zbuloi se 14.2% e pjesëmarrësve raportuan përdorimin e medikamenteve që mund të ngrenë presionin e gjakut. Kjo ishte e vërtetë edhe për 18.5% të individëve me hipertension. Barnat më të përshkruara ishin barnat kundër depresionit, barnat antiinflamatore josteroide, steroidet dhe estrogjeni. Më pas, u pa se, vetëm në mesin e atyre që merrnin antihipertensivë, përdorimi i barnave që mund të rrisin presionin e gjakut shoqërohej me një probabilitet më të madh për hipertension të pakontrolluar. Për më tepër, përdorimi i tyre u shoqërua me një përdorim më të madh të antihipertensivëve, si mes subjekteve me hipertension të kontrolluar, ashtu mes atyre me hipertension të pakontrolluar.

Siç theksohet nga autorët, ka alternativa terapeutike për shumë barna që rrisin presionin e gjakut. "Prandaj, rezultatet tona tregojnë një mundësi të rëndësishme për të përmirësuar kontrollin e presionit të gjakut duke optimizuar regjimet e trajtimit, një qasje që ka potencialin të reduktojë gjithashtu polifarmacinë dhe kompleksitetin e regjimeve", shkruajnë ata, duke shtuar se mjekët që ndihmojnë pacientët me hipertension duhet të kontrollojnë rregullisht për barna që mund të shkaktojnë presion të lartë të gjakut dhe të marrin në konsideratë mundësinë për të mos i përshkruar ato, t'i zëvendësojnë ose, nëse kjo nuk është e mundur, të reduktojnë dozën ose kohëzgjatjen e përdorimit të tyre.

JAMA Internal Medicine 2021. Doi: 10.1001/jamainternmed.2021.6819.
https://doi.org/10.1001/jamainternmed.2021.6819 


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC