pri202022
Vaksina kundër meningokokut B mund të reduktojë rastet e gonorresë
Sipas dy studimeve të publikuara në Lancet Infectious Diseases, vaksinimi kundër meningokokut B është në gjendje të reduktojë rrezikun e prekjes nga gonorrea me 33% dhe 40%. Gonorrea është një nga sëmundjet më shqetësuese seksualisht të transmetueshme dhe është një nga më të zakonshmet, e dyta pas klamidias. Pasojat e saj direkte mund të jenë shumë serioze për gratë dhe fëmijët nëse transmetohen në shtatzëni dhe rezistenca e saj ndaj antibiotikëve vazhdon të rritet. Në punimin e parë, të drejtuar nga Winston Abara (CDCP në SHBA) në Atlanta, studiuesit vlerësuan të dhënat për 167,706 infeksione nga gonorrea ose klamidia që ndodhën në periudhën 2016-2018, te të rinjtë nga 16, deri në 23 vjeç, që jetonin në Nju Jork dhe Filadelfia dhe e krahasoi këtë informacion me atë në regjistrat e vaksinimit.
Ekspertët vunë në dukje se mes të vaksinuarve kundër meningokokut B, shkalla e infeksionit ishte më e ulët. Në veçanti, vaksinat e meningokokut B me një dozë të vetme treguan një reduktim të rrezikut të prekjes nga gonorrea me 26% dhe ata që kishin përfunduar kursin e vaksinimit ndaj meningokokut B, deri në 40%. Në studimin e dytë, autorët, të udhëhequr nga Bing Wang Universiteti i Adelaides, Australi), vlerësuan në fakt incidencën e infeksioneve seksualisht të transmetueshme në vendin e tyre pas futjes së vaksinimit kundër meningokokut B. Edhe në këtë rast u vu re një efikasitet i vaksinës në luftimin e gonorresë, i cili u vlerësua në 32.7%. Ekspertët theksojnë se ky ndër-reaktivitet mund të shpjegohet me një ngjashmëri të caktuar midis baktereve që shkaktojnë dy sëmundjet, të cilat i përkasin së njëjtës familje, Neisserie. Në fakt, vaksina krijon imunitet ndaj disa proteinave të Neisseria meningitidis të cilat janë shumë të ngjashme me proteinat e membranës që gjenden edhe te Neisseria gonorrhoeae.
Lancet Infectious Diseases 2022. Doi: 10.1016/S1473-3099(21)00754-4
https://doi.org/10.1016/S1473-3099(21)00754-4
Lancet Infectious Diseases 2022. Doi: 10.1016/S1473-3099(21)00812-4
https://doi.org/10.1016/S1473-3099(21)00812-4