qer132022
Plakja. Urolitina A përmirëson forcën e muskujve dhe performancën fizike
Një studim i ri i publikuar në Cell Reports Medicine ka treguar se marrja e urolitinës A çdo ditë për katër muaj përmirëson forcën e muskujve me 12% te të rriturit e moshës 40-64 vjeç. Urolitina A (UA) është një përbërës natyral i prodhuar nga bakteret e zorrëve, elagjitaninat (ET), acidi elagjik (EA) dhe polifenolet komplekse që gjenden në ushqime të tilla, si: shega, manaferrat dhe arrat. UA-ja është zbuluar rreth 40 vjet më parë, por ndikimi i saj në plakje dhe sëmundje është hulumtuar vetëm së fundmi.
Përmirëson funksionin mitokondrial dhe redukton inflamacionin
UA-ja përmirëson shëndetin qelizor duke reduktuar inflamacionin e dëmshëm dhe duke rritur funksionin mitokondrial. Kërkimet e mëparshme kanë treguar se UA-ja përmirëson qëndrueshmërinë e muskujve dhe funksionin mitokondrial te të moshuarit e grupmoshës 65-90 vjeç. Ky studim i ri dyfish i verbër, i kontrolluar me placebo, vlerësoi efikasitetin e UA-së te të rriturit e moshës 40-64 vjeç. Pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë suplemente ditore me 500 mg, 1000 mg UA ose placebo për 4 muaj. Forca e muskujve, testet e performancës fizike dhe bioshënjuesit e funksionit dhe inflamacionit mitokondrial u vlerësuan në fillim, pas 2 dhe 4 muajsh.
Rritja e forcës, performancës fizike dhe fuqisë së muskujve
Rezultatet kanë treguar se forca e muskujve të tendinit u rrit ndjeshëm me 12% dhe 10% në grupet që morën UA me një dozë prej 500 mg dhe 1000 mg. Forca e muskujve gjatë përkuljes së gjurit u përmirësua ndjeshëm për të dyja dozat 500 mg (+ 10.6%) dhe 1000 mg (+ 10.5%). Përmirësime të rëndësishme klinike u vunë re në grupin 1000 mg në qëndrueshmërinë aerobike, me + 10% në konsumin maksimal të oksigjenit [VO2], performancën fizike (+ 33 metra në testin e ecjes 6-minutëshe) dhe fuqinë (+ 5%). Së fundi, analizat e gjakut dhe biopsitë treguan përmirësim të ndjeshëm në bioshënjuesit e funksionit të shëndetshëm mitokondrial dhe reduktimin e inflamacionit. "Rënia mitokondriale është një shenjë dalluese e plakjes dhe e shëndetit të dobët metabolik, gjë që mund të çojë në ulje të kapacitetit të stërvitjes, qëndrueshmërisë dhe forcës së muskujve. Ky studim i botës reale është veçanërisht i rëndësishëm pasi thekson se urolitina A përmirëson funksionin e muskujve duke mbështetur aftësinë e qelizave për të rinovuar centralet e tyre elektrike, mitokondritë, gjatë procesit të plakjes", thotë dr. Eric Verdin (Buck Institute for Research on Aging).
Dr. Paolo Levantino
Farmacist klinik dhe gazetar shkencor
Burimi:
Cell Reports Medicine 17 May, 2022 10.1016/j.xcrm.2022.100633