kor12022
Depresioni. Nga probiotikët deri te terapia mbështetëse me barna antidepresive
Në një studim të botuar në revistën Translational Psychiatry, një grup kërkimor nga Klinikat Psikiatrike Universitare të Bazelit (UPK) ka treguar se probiotikët mund të mbështesin trajtimin antidepresiv dhe të lehtësojnë depresionin.
Flora intestinale ndikon në psikikë
Nga studimet e mëparshme dihet se pacientët me depresion kanë treguar një prevalencë mbi mesataren për probleme intestinale dhe të tretjes. Nëse flora intestinale e njerëzve në depresion implantohet te minjtë e rritur në kushte sterile, pra, pa florë intestinale, kafshët zhvillojnë gjithashtu sjellje të ngjashme me depresionin. Për shembull, ata janë më pak energjikë dhe tregojnë më pak interes për mjedisin përreth sesa bashkëmoshatarët e tyre. Prandaj, studiuesit dyshojnë se përbërja e komunitetit bakterial në zorrë luan një rol të rëndësishëm në simptomat e depresionit. Në studimin e ri, studiuesit, të udhëhequr nga André Schmidt dhe Undine Lang, studiuan sistematikisht efektet e probiotikëve te pacientët me depresion. Të gjithë pjesëmarrësit të pranuar në Klinikat Psikiatrike Universitare të Bazelit (UPK), morën një probiotik ose një placebo për 31 ditë, përveç antidepresivëve. Studiuesit kryen një seri testesh te pjesëmarrësit para trajtimit, në fund të 31 ditëve dhe pas katër javëve.
Probiotikët mbështesin trajtimin antidepresiv
Analiza tregoi se megjithëse simptomat e depresionit u ulën te të gjithë pjesëmarrësit falë trajtimit të përgjithshëm antidepresiv, pati përmirësim më të madh në subjektet në grupin e probiotikëve krahasuar me grupin placebo. Për më tepër, përbërja e florës së tyre intestinale ndryshoi, të paktën përkohësisht: në grupin e probiotikëve, analiza e mostrave të jashtëqitjes zbuloi një rritje të baktereve të acidit laktik në fund të trajtimit, e cila u shoqërua me një ulje të simptomave depresive. Megjithatë, niveli i këtyre baktereve intestinale që favorizojnë shëndetin ra përsëri gjatë katër javëve të ardhshme. "Mund të mos mjaftojnë katër javë trajtim dhe të duhet më shumë kohë për të stabilizuar përbërjen e re të florës intestinale", shpjegon Anna-Chiara Schaub, një nga autoret kryesore të studimit.
Ndryshimi i përpunimit të stimujve emocionalë
Një tjetër efekt interesant i marrjes së probiotikëve u vu re në lidhje me aktivitetin e trurit, i cili u analizua përmes rezonancës magnetike funksionale (fMRI). Te pacientët me depresion, zona të caktuara të trurit për përpunimin emocional sillen ndryshe tek individët me shëndet të mirë mendor. Pas katër javësh me probiotikë, ky aktivitet i trurit u normalizua në grupin e probiotikëve, por jo në grupin placebo. "Megjithëse boshti mikrobiomë-zorrë-tru ka qenë një objekt studimi për disa vite dhe mekanizmat e saktë nuk janë sqaruar ende plotësisht", thotë Schaub-i. "Me njohuri shtesë për efektin specifik të disa baktereve, mund të jetë e mundur të optimizohet përzgjedhja dhe të përdoret përzierja më e mirë për të mbështetur trajtimin e depresionit", përfundon studiuesi.
Paolo Levantino
Farmacist klinik dhe gazetar shkencor
Burimi:
Transl Psychiatry 12, 227 (2022). https://doi.org/10.1038/s41398-022-01977-z