Farmaci

kor52022

Epilepsia te fëmijët. Nuk ekziston asnjë lidhje me përdorimin e antidepresivëve në tremujorin e parë të shtatzënisë

Sipas një studimi të publikuar në Neurology, përdorimi i antidepresivëve nga nënat gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë nuk rrit gjasat për epilepsi dhe kriza te foshnjat. "Shtatzënia mund të jetë një periudhë e vështirë dhe shtimi i depresionit, ankthit dhe sëmundjeve të tjera mendore mund ta shtojë këtë barrë. Gjetjet tona mund të ofrojnë siguri për gratë dhe mjekët e tyre", shpjegon autorja kryesore e studimit Kelsey Kathleen Wiggs (Universiteti Indiana, Bloomington). Studiuesit ekzaminuan mbi 1.7 milionë foshnja të lindura në Suedi gjatë një periudhe 17-vjeçare dhe identifikuan më shumë se 24,000 individë të ekspozuar ndaj antidepresivëve gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Më pas ata krahasuan të dhënat e tyre me ato të fëmijëve që nuk ishin ekspozuar ndaj këtyre barnave. Megjithëse krizat në muajin e parë të jetës ishin të rralla, ato ishin më të zakonshme te fëmijët që kishin qenë të ekspozuar ndaj antidepresivëve gjatë shtatzënisë.

Përpara se analiza të rregullohej sipas faktorëve të nënës, si: mosha, epilepsia, statusi socio-ekonomik dhe përdorimi i duhanit, 1.7 për 1000 foshnja të ekspozuara kishin kriza neonatale, krahasuar me 1.2 për 1000 foshnja të paekspozuara. Në mënyrë të ngjashme, epilepsia në moshën pesë vjeçare ishte diagnostikuar në 5.4 nga 1000 fëmijë të ekspozuar dhe 4.1 nga 1000 fëmijë të paekspozuar. Megjithatë, pas përshtatjes sipas faktorëve të nënës që lidhen me një rrezik të shtuar të krizave te të porsalindurit, ekspertët nuk gjetën asnjë lidhje midis përdorimit të antidepresivëve nga nënat gjatë tremujorit të parë dhe rrezikut të tyre për kriza ose epilepsi.

Sipas autorëve, rreziku pak i rritur i konvulsioneve të tilla të dokumentuara në studimet e mëparshme mund të ndodhë për shkak të faktorëve të tjerë të nënës, të tilla, si: sëmundja ose përdorimi i duhanit gjatë shtatzënisë. Studiuesit theksojnë gjithashtu se ky studim shqyrtoi ekspozimin në tremujorin e parë, ndërsa disa studime të mëparshme kanë dokumentuar lidhje më të forta me përdorimin e antidepresivëve dhe konvulsionet ose epilepsinë te fëmijët në fund të shtatzënisë.

 

Neurology 2022. Doi: 10.1212/WNL.0000000000200516
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000200516


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC