sht12022
Antikoagulantët oralë. Te pacientët me hipertension arterial përfitimet janë të kufizuara
Komplikimet kryesore të presionit të lartë të gjakut, p.sh. infarkti i miokardit, iktuset ishemike dhe sëmundjet e tjera kardiovaskulare janë të lidhura me trombozën dhe jo me hemorragjinë. Prandaj, është e rëndësishme të hetohet nëse terapia antitrombotike mund të jetë e dobishme në parandalimin e komplikimeve që lidhen me trombozën te pacientët me presion të lartë të gjakut.
Një ekip hulumtues nga Universiteti i Liverpulit ka ekzaminuar efektet e barnave më të zakonshme kundër trombociteve për vdekjet dhe ngjarjet trombotike te pacientët me hipertension krahasuar me placebon ose trajtimet e tjera aktive. Rezultatet e këtij rishikimi u botuan në Cochrane.
Autorët analizuan gjashtë prova të kontrolluara me përzgjedhje rastësore në Evropë, Britani, SHBA dhe Japoni për një total prej 61,015 pacientësh. Katër studime ishin për parandalimin primar (për një total prej 41,695 pacientësh) dhe dy ishin për parandalimin sekondar (19,320 pacientë). Katër studime ishin të kontrolluar me placebo dhe dy studime ishin krahasuese ndërmjet barnave të ndryshme.
Terapia kronike me acid acetilsalicilik, p.sh. aspirina e zakonshme, për parandalimin primar nuk ka ndryshuar vdekshmërinë te pacientët me hipertension arterial. Megjithatë, vazhdon të ekzistojë rreziku i gjakderdhjes te këta pacientë krahasuar me pacientët e trajtuar me placebo. Në parandalimin sekondar pati përmirësime të lehta me përdorimin e aspirinës në lidhje me ngjarjet kryesore kardiovaskulare (infarkt miokardi, iktus dhe vdekje e papritur kardiake) krahasuar me placebon dhe klopidogrelin.
Terapia antitrombocitare me aspirinë mund të zvogëlojë rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare dhe jo-fatale krahasuar me klopidogrelin. Klopidogreli rriti rrezikun e ngjarjeve të mëdha të gjakderdhjes në krahasim me aspirinën te pacientët me presion të lartë të gjakut gjatë provave të parandalimit sekondar.
Nuk ka asnjë provë që terapia orale antikoagulante me varfarinë për parandalim sekondar modifikon vdekshmërinë kardiake te pacientët me presion të lartë gjaku.
Tiklopidina, klopidogreli dhe agjentët më të rinj antitrombocitar, si prasugreli dhe ticagrelori, nuk janë vlerësuar mjaftueshëm te pacientët me presion të lartë të gjakut për ndonjë parandalim primar, ndërsa provat janë të pamjaftueshme ose kontradiktore për këtë parandalim.
Së fundi, studiuesit vunë në dukje se medikamentet e reja antitrombotike orale (dabigatran, rivaroxaban, apixaban dhe edoxaban) ende nuk janë testuar te pacientët me presion të lartë të gjakut për parandalimin primar dhe sekondar.