Farmaci

nën92022

Gjakderdhja e shkaktuar nga aspirina. Ja, si mund të reduktohet

Rreziku i gjakderdhjes nga ulcera e stomakut për shkak të përdorimit afatgjatë të aspirinës mund të reduktohet me një cikël të shkurtër antibiotikësh, sipas një dokumenti të botuar në Lancet, në të cilin janë raportuar rezultatet e studimit të Helicobacter pylori Eradication Aspirin (HEAT).

"Aspirina ka shumë përparësi për sa i përket reduktimit të rrezikut të infarktit dhe iktusit te njerëzit më të prirur ndaj këtyre problemeve. Për më tepër, ekzistojnë prova që tregojnë se aspirina është në gjendje të ngadalësojë disa lloje kanceri. Jemi të kënaqur që rezultatet tona kanë treguar se hemorragjia e shkaktuar nga ulcera mund të reduktohet ndjeshëm pas një cikli një javor antibiotikësh. Implikimet afatgjata të këtij zbulimi janë inkurajuese për sa i përket recetave të sigurta", thotë autori kryesor i studimit Chris Hawkey, nga Universiteti i Nottinghamit.

Aspirina, e përdorur në doza të ulëta, është një medikament shumë i dobishëm dhe parandalues për njerëzit me rrezik të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare. Edhe pse, në raste të rralla, ajo mund të shkaktojë hemorragji, duke shkaktuar gjakderdhje të ulcerave në stomak, e cila nga ana tjetër mund të shkaktohet nga Helicobacter pylori.

Studiuesit u përpoqën të kuptonin nëse një cikël i shkurtër antibiotikësh mund të largonte këto baktere dhe mund të zvogëlonte rrezikun e gjakderdhjes te përdoruesit e aspirinës. Për këtë qëllim, ata kryen një studim shumë të madh, në 1208 zyra të mjekëve të përgjithshëm në Britaninë e Madhe, pra në jetën reale, i cili përdori të dhëna klinike të ruajtura në mënyrë rutinore në regjistrat e mjekëve të familjes dhe ata të spitaleve. Nga 188,875 pacientë që merrnin aspirinë, 30,166 dolën vullnetarë dhe morën pjesë në studim.

Subjektet që rezultuan pozitive për H. pylori u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë antibiotikë ose placebo dhe u ndoqën për pothuajse shtatë vjet. Në dy vitet e para të studimit, pacientët që u trajtuan me antibiotikë kishin më pak gjasa të shtroheshin në spital për shkak të hemorragjisë të shkaktuar nga ulçera krahasuar me ata që morën placebo (6 pacientë krahasuar me 17).

Ekspertët vunë në dukje gjithashtu se mbrojtja e dhënë nga antibiotikët filloi të funksiononte shpejt, në fakt, pjesëmarrësit që morën placebo kishin shtrimin e parë në spital për gjakderdhje ulçere pas vetëm gjashtë ditësh trajtim, kurse për ata që u trajtuan me antibiotikë, shtrimi i parë në spital ndodhi pas 525 ditësh.

Gjatë një periudhe më të gjatë kohore, mbrojtja e dhënë nga antibiotikët dukej se po zhdukej; megjithatë, shkalla e përgjithshme e shtrimit në spital për hemorragjinë e ulçerës ishte më e ulët se sa pritej në grupin e trajtimit. Rreziqet për njerëzit që tashmë merrnin aspirinë ishin përgjithësisht më të ulëta sesa për ata që filluan ta merrnin mediakmentin për herë të parë kur iu nënshtruan kërkimit për H. pylori.

 

Lancet 2022. Doi: 10.1016/S0140-6736(22)01843-8
https://doi.org/10.1016/S0140-6736(22)01843-8


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC