tet42022
Alzheimeri. Një medikament i ri mund të reduktojë përparimin e sëmundjes me 27%
Molekula eksperimentale lecanemab e administruar në fazat e hershme të sëmundjes në pothuajse 2 mijë pacientë ka reduktuar përparimin e Alzheimerit me 27%. Këto janë rezultatet e studimit të fazës III të Clarity AD të publikuar nga kompanitë farmaceutike Eisai dhe Biogen, të cilët kanë dhënë shpresa për një medikament të ri në luftën kundër Alzheimerit.
Lecanemabi është një antitrup monoklonal që do të jetë në gjendje të njohë dhe eliminojë agregatet beta-amiloide, përbërësi kryesor i pllakave karakteristike të Alzheimerit. Gjatë provës, molekula iu administrua 1795 subjekteve me dëmtim të lehtë konjitiv për shkak të Alzheimerit dhe Alzheimerit të lehtë, të ndjekur për 18 muaj nga fillimi i mdedikamentit.
Krahasuar me grupin e kontrollit që mori një placebo, subjektet e trajtuara me lecanemab treguan një reduktim prej 27% në rënien konjitive, siç matet nga një shkallë vlerësimi specifike e quajtur CDR-SB.
Studimi tregoi gjithashtu një reduktim të sasisë së beta-amiloidit në tru; ndërsa efektet anësore u konsideruan në përputhje me pritshmëritë. "Këto gjetje do të krijojnë horizonte të reja në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit", tha Haruo Naito, president i Eisai. Përveç kësaj, studimi është i rëndësishëm shkencërisht pasi konfirmon se "akumulimi jonormal i beta-amiloidit në tru është një ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjes së Alzheimerit", shtoi ai.
"Këto rezultate i japin shpresë pacientëve dhe familjarëve të tyre se lecanemabi, nëse miratohet, mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes Alzheimer dhe të sigurojë një ndikim klinikisht domethënës në funksionin konjitiv", përfundon Michel Vounatsos, president i Biogen.