nën232022
Lupusi eritematoz sistemik. Rezultate të mira nga deucravacitinibi
Sipas një studimi klinik të fazës 2, të botuar në Arthritis & Rheumatology, deucravacitinibi, një frenues oral selektiv i tirozinë kinazës 2 (TYK2) ka arritur rezultate premtuese te pacientët me lupus aktiv.
"Lupusi eritematoz sistemik (LES) është një sëmundje kronike autoimune e karakterizuar nga prania e autoantitrupave antinuklear dhe manifestimeve të shumta klinike që, nëse nuk kontrollohen, çojnë në përkeqësim të organeve të dëmtuar dhe rrit rrezikun për vdekje të parakohshme", thotë bashkautori Eric Morand nga Departamenti i Reumatologjisë në Universitetin e Monashit në Australi, duke kujtuar se terapitë aktuale, të cilat nuk janë gjithmonë efektive, shoqërohen me efekte të padëshiruara anësore.
Për këtë arsye nisi studimi i fazës II (PAISLEY) për deucravacitinibin, një përbërës i aftë për të frenuar TYK2, një kinazë ndërqelizore që ndërmjetëson sinjalizimin e citokinave kyçe të përfshira në patogjenezën e LES-it, duke përfshirë interferonet e tipit I (IFN) dhe interleukinat 10, 12 dhe 23.
PAISLEY u projektua duke u nisur nga mekanizmi i veprimit të deucravacitinibit, që synon vlerësimin e efikasitetit dhe sigurisë së medikamentit në 363 pacientë të rritur me LES aktiv në tre doza, të zgjedhura në bazë të aftësisë për të shtypur rrugët e ndërmjetësuara nga IFN dhe IL-23 në studimet e mëparshme klinike.
Pjesëmarrësit u përzgjodhën në mënyrë rastësore për të marrë placebo ose deucravacitinib 3 mg dy herë në ditë, 6 mg dy herë në ditë ose 12 mg një herë në ditë. Dhe, në javën e 32, proporcionet e pacientëve që përjetuan një përgjigje pozitive ndaj trajtimit, siç vlerësohet nga masa të ndryshme të aktivitetit të sëmundjes, ishin respektivisht 34% me placebo kundrejt 58%, 50% dhe 45%, me tre dozat e medikamentit të përshkruar më sipër.
Normat e ngjarjeve të padëshiruara ishin të ngjashme midis grupeve, me përjashtim të frekuencës më të lartë të infeksioneve, skuqjeve të lëkurës dhe akneve të vërejtura me deucravacitinibin. Numri i ngjarjeve të padëshiruara serioze pa vdekje, infeksioneve oportuniste, tuberkulozit, ngjarjeve të padëshiruara kardiovaskulare ose ngjarjeve trombotike ishte gjithashtu i krahasueshëm. "Këto rezultate vendosin TYK2 në hartë si një objektiv për lupusin dhe inkurajojnë zhvillimin e mëtejshëm të deucravacitinibit për këtë sëmundje", tha Morand.
Arthritis & Rheumatology 2022. Doi: 10.1002/art.42391
https://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1002/art.42391