maj312023
Migrena refraktare. Ketamina si spraj nazal mund të ketë efekte të dobishme
Ketamina në formën e sprajit nazal mund të jetë një trajtim i sigurt dhe efektiv për migrenën refraktare kronike, sipas një studimi të botuar në revistën "Regional Anesthesia & Pain Medicine".
"Disa studime klinike kanë treguar se ketamina intravenoze është efektive për dhimbjet kronike të kokës. Për fat të keq, zakonisht kërkohet prania e mjekut specialist për të rregulluar dozën dhe për të monitoruar efektet anësore, duke kufizuar përdorimin e këtij medikamenti vetëm në ambientet ambulatore. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ketamina mund të përdoret edhe për migrenën kronike rezistente ndaj trajtimit", shpjegon Michael Marmura nga Universiteti Thomas Jefferson, Filadelfia, SHBA, autori kryesor i studimit.
Për të hetuar më tej në lidhje me këtë çështje, studiuesit analizuan në mënyrë retrospektive rezultatet dhe përvojat e 169 njerëzve të cilëve iu administrua një spraj nazal me përmbajtje ketamine për trajtimin e migrenës refraktare kronike midis janarit dhe shkurtit 2020 në një qendër të specializuar për dhimbjet e kokës.
Gati 85% e pjesëmarrësve kishin provuar më shumë se tre lloje të medikamentesh parandaluese dhe arsyet më të zakonshme për të ripërdorur sprajin nazal me ketaminë ishin: përgjigjet e pjesshme ndaj qetësuesve (59%) dhe medikamenteve parandaluese (31%), përfitimet e mëparshme nga ketamina e administruar në rrugë intravenoze (22.5%) dhe dështimi i terapisë intravenoze me lidokainë (13%).
Në mënyrë të përgjithshme, pacientët thanë se e përdornin sprajin nazal mesatarisht 10 ditë në muaj. Gati gjysma e tyre (49%) konfirmuan se spraji ishte efektiv, ndërsa për 39.5% të tjerë spraji ishte efektiv mjaftueshëm. Mbi një e treta e pacientëve (35.5%) thanë se pas administrimit të sprajit nazal me ketaminë cilësia e jetës së tyre ishte shumë më e mirë. Krahasuar me medikamentet e tjera kundër dhimbjeve, 73 pacientë (43%) mendonin se spraji nazal ishte shumë më i mirë dhe 50 (29.5%) mendonin se ishte i mirë mjaftueshëm.
Pothuajse tre të katërtat e pacientëve thanë se përdornin më pak medikamente kundër dhimbjeve gjatë përdorimit të sprajit nazal me ketaminë. Gati tre nga katër pjesëmarrës (74%) raportuan efekte anësore, më të zakonshmet prej të cilave ishin: lodhja dhe shikimi i dyfishtë/paqartë, të ndjekur nga problemet konjitive, si konfuzion/shkëputje, halucinacione, të cilat ishin kryesisht të përkohshme.
"Nuk është ende e qartë se cila është doza më efektive dhe më e sigurt për këtë spraj dhe se varësia ndaj tij është një dobësi e mundshme e përdorimit të këtij medikamenti", theksojnë autorët.
Regional Anesthesia & Pain Medicine 2023. Doi: 10.1136/rapm-2022-104223
http://doi.org/10.1136/rapm-2022-104223