Farmaci

sht52023

Statinat reduktojnë rrezikun për hemorragji cerebrale dhe iktus ishemik

Sipas një studimi të botuar në "Neurology", njerëzit që i nënshtrohen terapisë me statina pasi kanë kaluar një hemorragji cerebrale janë më pak të rrezikuar për të pësuar një iktus ishemik në krahasim me ata që nuk trajtohen me të tilla medikamente.

"Hulumtimet e mëparshme kanë prodhuar rezultate kontradiktore mbi rrezikun e iktusit te njerëzit që marrin statina dhe kanë pasur më parë një hemorragji cerebrale, kështu që ne u përpoqëm ta hetojmë këtë çështje edhe më tej. Ne zbuluam se përdoruesit e statinave kishin një rrezik më të ulët për të pësuar një iktus ishemik, ndërsa nuk kishte asnjë ndryshim në rrezikun për hemorragji cerebrale", shpjegon autori kryesor i studimit David Gaist nga Universiteti i Danimarkës Jugore.

Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të pacientëve danezë dhe identifikuan 15,151 njerëz që kishin pësuar një iktus hemorragjik. Këta subjekte filluan të ndiqen 30 ditë pas ngjarjes deri në iktusin e parë pasues, vdekjen ose përfundimin e ndjekjes, e cila zgjati për rreth 3.3 vjet.

Ekspertët krahasuan 1,959 njerëz që kishin pësuar një iktus të mëvonshëm me 7,400 njerëz që nuk kishin pësuar një iktus tjetër, të cilët ngjasonin për nga mosha, gjinia dhe faktorë të tjerë. Në total, 757 njerëz (39%) që kishin pësuar një iktus të mëvonshëm kishin marrë statina krahasuar me 3,044 njerëz (41%) që nuk kishin pësuar një iktus të dytë.

Pas përshtatjes për faktorët e tjerë ngatërrues si: presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe përdorimi i alkoolit, përdorimi i statinave u shoqërua me një rrezik 12% më të ulët për shfaqjen e një iktusi të mëvonshëm.

Më pas, autorët krahasuan 1,073 njerëz që kishin pësuar një iktus ishemik me 4,035 njerëz që nuk kishin pësuar asnjë iktus tjetër. Në mesin e atyre që kishin pësuar një iktus ishemik, 427 njerëz (40%) kishin marrë statina, krahasuar me 1,687 (42%) të tjerë që nuk kishin pësuar një iktus tjetër. Pas rregullimit të analizës, përdorimi i statinave u shoqërua me një rrezik 21% më të ulët për iktus ishemik pas ngjarjes hemorragjike fillestare.

Ata krahasuan gjithashtu 984 njerëz që kishin pësuar një iktus tjetër hemorragjik me 3,755 njerëz që nuk kishin pësuar asnjë iktus tjetër. Në këtë rast, në mesin e atyre që kishin pasur iktuse hemorragjike të përsëritura, 385 persona (39%) morën statina, krahasuar me 1532 (41%) të tjerë që nuk kishin pasur një iktus tjetër hemorragjik. Pas rregullimit të mëtejshëm, studiuesit nuk gjetën një lidhje midis përdorimit të statinave dhe iktusit hemorragjik të përsëritur.

"Rezultatet e studimit tonë janë një lajm i mirë për njerëzit që kanë pësuar një iktus hemorragjik dhe janë duke u trajtuar me statina. Ndërsa gjetëm një rrezik më të ulët për të pësuar një iktus tjetër, është e rëndësishme të theksohet se kur i shikojmë të dhënat në detaje, ky reduktim i rrezikut është i vlefshëm vetëm për iktusin ishemik. Nga ana tjetër, nuk kemi konstatuar rritje të rrezikut për iktus hemorragjik. Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për t'i konfirmuar këto rezultate", përfundon autori.

 

Neurology 2023. Doi: 10.1212/WNL.0000000000207792
http://doi.org/10.1212/WNL.0000000000207792


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC