dhj142023
Barnat që mungojnë. BE miraton listën e parë të barnave kritike për shmangien e mungesave në të ardhmen
BE ka publikuar versionin e parë të listës së barnave thelbësore (barna që aktualisht nuk janë në mungesë), me qëllimin për t'u përballur me mungesa në të ardhmen. Lista përmban më shumë se 200 përbërës aktivë të barnave për përdorim njerëzor, të konsideruara si thelbësore për sistemet shëndetësore në BE/ZEE, vazhdimësia e furnizimit të të cilave është thelbësore dhe mungesat duhet të shmangen. Lista u publikua nga Komisioni Evropian (CE), nga drejtuesit e agjencive të barnave (HMA) dhe nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Shënimi i publikuar nga EMA shton se rrjeti evropian i rregullimit të barnave do t'u japë prioritet medikamenteve thelbësore në zinxhirin e furnizimit.
Barnat kritike. Çfarë janë dhe përse ekziston një listë evropiane?
Lista e barnave kritike është një mjet i rëndësishëm në mbështetjen e përpjekjeve të BE-së, që garantojnë sigurinë e zinxhirit të furnizimit, duke parandaluar mungesat. Në shënim theksohet se përfshirja e mundshme e një bari në listë nuk do të thotë se ekziston një mundësi për mungesë në të ardhmen, por parandalimi i mungesës është thelbësor për shmangien e dëmeve ndaj pacientit dhe sistemeve shëndetësore në vështirësi.
Një bar konsiderohet thelbësor nëse përdoret për sëmundje të rënda dhe nuk mund të zëvendësohet lehtë nga barna të tjera në rast mungesë të tij. Nëse produkti përfshihet në listën e barnave kritike të BE-së, do të thotë se përmbush kriteret e përcaktuara, ndër të cilat, faktin që është kritik në më shumë se një të tretën e vendeve të BE-së/ZEE-së.
Lista ka përbërës aktivë që mbulojnë një gamë të gjerë fushash terapeutike, duke përfshirë vaksinat dhe barnat për sëmundjet e rralla dhe vjen si rezultat i rishikimit të 600 përbërësve aktivë të vlerësuar nga gjashtë lista kombëtare të barnave kritike, por do të zgjerohet në vitin 2024 dhe do të përditësohet çdo vit. Ky rishikim u krye me të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe rëndësia u caktua në bazë të metodologjisë së rënë dakord dhe të zhvilluar në bashkëpunim me grupet kryesore të palëve të interesuara, duke përfshirë organizatat e pacientëve dhe operatorëve shëndetësorë dhe shoqatat e këtij sektori.
Barnat e përfshira në listë mund të përshkruhen dhe të përdoren
Barnat e pranishme në listë mund të vazhdojnë të përshkruhen dhe të përdoren si zakonisht nga pacientët dhe operatorët shëndetësorë. Në fakt, do të caktohen detyrime të tjera sinjalizimi për mbajtësit e autorizimit të tregtimit dhe do të hyjnë në fuqi sapo të jetë i zbatueshëm legjislacioni farmaceutik i propozuar.
Publikimi i listës së BE-së nuk do të ketë aspak ndikim te listat kombëtare ekzistuese apo në zhvillim të barnave. Megjithatë, lista do të mbështesë hartimin e listave kombëtare aty ku ato nuk ekzistojnë ende. Për më tepër, ajo do të mbështesë dhe përshpejtojë analizën e KE-së për zinxhirin e furnizimit të barnave kritike për të përcaktuar cenueshmërinë e mundshme. Grupi i Menaxhimit të Mungesave të Barnave (MSSG) i BE-së dhe EMA-s mund të propozojë masa për përballimin e çështjeve kritike në furnizimin e këtyre barnave, për të parandaluar dhe reduktuar përfundimisht mungesat.
Lista përfshin masa të tjera të vëna në zbatim nga Task Forca EMA/HMA dhe nga MSSG mbi disponueshmërinë e barnave të autorizuara, të tilla si praktikat e mira për industrinë dhe për pacientët e organizatat e operatorëve shëndetësorë për parandalimin e mungesave të barnave, mekanizmin e MSSG-së për solidaritet, grupin e mjeteve të MSSG-së dhe rekomandimet e këtij të fundit mbi masat për shmangien mungesës së antibiotikëve kryesorë të përdorur për trajtimin e infeksioneve respiratore.
Për më tepër:
https://www.ema.europa.eu/en/news/first-version-union-list-critical-medicines-agreed-help-avoid-potential-shortages-eu