shk202024
Migrena. Suplementi palmitoylethanolamide (PEA) redukton ashpërsinë e simptomave, kohëzgjatjen dhe përdorimin e barnave
Një studim i ri i publikuar në Pharmaceuticals, tregon se palmitoylethanolamide mund të jetë i dobishëm në reduktimin e ashpërsisë dhe kohëzgjatjes së migrenës
Migrena vazhdon të jetë një sfidë klinike e rëndësishme, e cila i shtyn pacientët të kërkojnë zgjidhje efikase për lehtësimin e dhimbjes dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Së fundmi, palmitoylethanolamide (PEA) po konsiderohet si një trajtim i mundshëm falë efekteve të tij analgjezike dhe antiinflamatore të dokumentuara.
Në një studim të ri, të kontrolluar me placebo, u rekrutuan 64 të rritur të shëndetshëm të prekur nga migrena. Me shfaqjen e simptomave, pjesëmarrësve iu integruan 300 mg PEA, ose placebo (maltodestrinë). Pas integrimit, individëve iu kërkua të vlerësonin dhimbjen nga migrena (duke përdorur VAS) çdo 30 minuta për 4 orët e ardhshme deri në zhdukjen e migrenës. Nëse dhimbja vazhdonte edhe 2 orë pas shfaqjes së migrenës, pjesëmarrësve iu kërkohej të merrnin një dozë shtesë (dy kapsula) të produktit, ndërsa nëse dhimbja nuk pushonte brenda 4 orësh, përdoreshin medikamente (p.sh. ibuprofen ose paracetamol).
PEA redukton dhimbjen nga migrena brenda 2 orësh dhe përdorimin e barnave
Rezultatet kanë evidentuar se integrimi i PEA redukton dukshëm dhimbjen nga migrena brenda 2 orësh nga marrja e tij, duke zhdukur dhimbjen e migrenës dhe duke reduktuar përdorimin e medikamenteve kundër dhimbjes, krahasuar me placebon. Këto rezultate u konfirmuan edhe pas 8 orësh, duke treguar një efekt që zgjat në kohë.
PEA modifikon dhimbjen duke ndërvepruar me sistemin endokanabinoid
Në kontekstin e studimit aktual, autorët kanë propozuar që PEA e modifikon dhimbjen duke ndërvepruar me sistemin endokanabinoid dhe duke reduktuar inflamacionin. Kur qelizat stresohen, PEA mund të rekrutohet në vendet e përgjigjes, në të cilat luan një rol mbrojtës. Ky fakt sugjeron se PEA, sidomos në përqendrimet e duhura, mund të jetë efikas në lehtësimin e dhimbjes dhe simptomave të migrenës. PEA ndërvepron me kanalin jonik specifik të nociceptorit TRPV1 dhe me faktorin e transkriptimit nuklear PPAR-α, duke reduktuar transkriptimin e gjeneve pro inflamatore dhe më pas, inflamacionin dhe dhimbjen.
Përdorimi në profilaksi dhe si trajtim
"Një nga ndryshimet kryesore të këtij studimi me studimet e mëparshme është se PEA është integruar si trajtim i dhimbjes së shkaktuar nga migrena (kur shfaqet fillimisht), ndërsa studimet e mëparshme e kanë përdorur në profilaksi (zakonisht, në harkun e 3 muajve). Megjithatë, të dyja mënyrat kanë treguar se PEA ka rezultuar e sigurt dhe e tolerueshme te pjesëmarrësit, si profilaksi, ashtu edhe si trajtim. Por, nevojiten studime të mëtejshme për t'i konfirmuar këto efekte dhe për të stabilizuar sigurinë dhe efikasitetin e përdorimit të PEA në këto kontekste", përfundojnë autorët.