Farmaci

kor302024

Dermatiti atopik. Përdorimi i zgjatur i kortikosteroideve orale dhe rreziku për efekte anësore

Dermatiti atopik (AD) është një patologji kronike e lëkurës që shpesh kërkon trajtime afatgjata, si përdorimi i kortikosteroideve orale. Në një studim rast-kontroll janë analizuar efektet e mundshme anësore nga përdorimi i zgjatur i kortikosteroideve orale te pacientët e rritur me AD.

Terapitë një-tre-mujore
Objektivi i studimit ishte vlerësimi i lidhjes ndërmjet ekspozimit afatgjatë ndaj kortikosteroideve orale dhe efekteve anësore (AE) te pacientët e rritur me AD. Në veçanti, kërkohet të përcaktohet nëse kohëzgjatja e përdorimit të këtyre barnave ndikon në rrezikun për zhvillim të AE specifike.

Në studim janë analizuar të dhënat e marra gjatë periudhës 10 janar 2012-31 tetor 2021. Grupi i pacientëve me AD u analizua për një vit para dhe një vit pas periudhës së studimit për vlerësimin e kritereve të përjashtimit dhe karakteristikave bazë. Pacientët me AD që kanë zhvilluar një nga 11 AE specifike janë krahasuar me pacientët që nuk janë diagnostikuar ndonjëherë me këto AE.

Përdorimi afatgjatë i kortikosteroideve orale u përkufizua si një furnizim kumulativ prej më shumë se 30 ditësh ose më shumë se 90 ditë recetash në vit. AE e marra në konsideratë përfshinin osteoporozën, frakturat, diabetin e tipit 2, hiperlipideminë, hipertensionin, infarktin e miokardit, iktusin, pamjaftueshmërinë kardiake, nekrozën avaskolare, kataraktin dhe glaukomën. Në analizë janë përdorur modele të regresionit logjistik të kushtëzuar me shumë ndryshore, me qëllim matjen e rrezikut për cilëndo nga këto rezultate, duke kontrolluar faktorët e mundshëm të konfuzionit.

Efektet anësore për shkak të përdorimit të zgjatur
Në studim u përfshinë 1.025.270 pacientë me AD, nga të cilët 164.809 raste (mosha mesatare 39.4 vjeç; 56.9% gra) lidheshin me 328.303 kontrolle (mosha mesatare 39.3 vjeç; 56.9% gra). Nga këto, 5533 raste (3.4%) dhe 10.561 kontrolle (3.2%) kanë përdorur kortikosteroide orale për më shumë se 30 ditë, ndërsa 684 raste (0.4%) dhe 1153 kontrolle (0.4%) i kanë përdorur për më shumë se 90 ditë.

Përdorimi i kortikosteroideve orale për më shumë se 30 ditë nuk ka shfaqur shtim të rrezikut për AE, ndërsa përdorimi për më shumë se 90 ditë shfaqi një rrezik lehtësisht më të madh për AE. U konstatua një rritje e lehtë e rrezikut për AE për çdo vit kumulativ ose konsekutiv të përdorimit afatgjatë.

Rezultatet e këtij studimi sugjerojnë që përdorimi i kortikosteroideve orale për më shumë se 90 ditë në vit, mund të lidhet me një rritje të lehtë të rrezikut për efekte anësore te pacientët me dermatit atopik. Prandaj, me qëllim kufizimin e efekteve negative të mundshme, këshillohet të kufizohet kohëzgjatja e trajtimit me kortikosteroide orale në jo më shumë se 90 ditë në vit.

Kufizimi i kohëzgjatjes së trajtimit me kortikosteroide orale mund të kontribuojë në reduktimin e rrezikut për efekte të padëshiruara negative, duke përmirësuar kështu menaxhimin e përgjithshëm të sëmundjes. "Operatorët shëndetësorë duhet t'i peshojnë me kujdes përfitimet që lidhen me përdorimin e kortikosteroideve orale kundër rrezikut të vogël të konstatuar për efekte anësore, duke i monitoruar vazhdimisht pacientët", përfundojnë autorët e studimit.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC