jan152015
Ekstrakt i Xhinko Bilobas: EMA konfirmon efikasitetin në demencë
Xhinko Biloba (GB), një nga pemët më antike ekzistuese është gjithashtu një nga fitoterapikët më të përdorur në botë dhe pas shumë mosmarrëveshjeve, EMA ka konfirmuar efikasitetin e tij kundër demencës së lehtë dhe të moderuar. Duke pasur parasysh përdorimin e saj të gjerë në mbarë botën, është e rëndësishme ta njihni në thellësi dhe të hidhni dritë mbi cilësitë e saj reale.
Origjinën e ka nga lugina Zhejiang (Kinë) dhe u prezantua për herë të parë në Evropë në vitin 1690 nga botanisti Engelbert Kaempfer. Aktualisht është një nga bimët më të përdorura në mjekësinë bimore me të ardhura vjetore multi-milionere. Studimet e shumta të kryera deri tani na tregojnë se vetëm një lloj ekstrakti i GB është efektiv dhe është pikërisht ai i marrë nga gjethet e thara të pemës duke përdorur acetonin në 60% p/p si tretës. Një ekstrakt i tillë i shënuar me siglën "EGB 761" më pas standardizohet në masën 24% në flavonolglikokside dhe 6% terpene laktonikë (ginkgolide A, B, C, J e bilobalide) po ashtu nuk duhet të përmbajë më shumë se 5 ppm acide ginkgolike pasi ka efekt të fuqishëm alergjenik. Nuk kanë munguar debatet shkencore në lidhje me efektivitetin e GB për trajtimin e demencës. EMA në një monografi të kohëve të fundit ka larguar çdo dyshim, duke konfirmuar se ekstrakti EGB 761 është në gjendje të përmirësojë cilësinë e jetës te njerëzit me funksione njohëse të dëmtuara dhe demencë të moderuar të lidhur edhe me komplikimet neuropsikiatrike. Doza ditore e rekomanduar është 240 mg, për një trajtim jo më të gjatë se 8 javë.
Mekanizmat e veprimit përfshijnë rritjen e fluksit të gjakut cerebral, reduktimin e viskozitetit të gjakut, ndryshimin e sistemeve të neurotransmetuesve dhe një aktivitet të rëndësishëm antioksidant. Duke u bazuar në këto aktivitete fiziologjike supozohet gjithashtu që GB të mund të jetë efektiv kundër iktusit ishemik, degjenerimit makular, sindromit Raynaud, impotencës dhe astmës; por këto mbeten ende hipoteza që presin konfirmimin nga kërkimet shkencore. Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes ndërveprimet farmakologjike të GB-së me barna antikoagulantë dhe shfaqjen e mundshme të efekteve anësore ndonëse të rralla, si hemorragjitë, dhimbje koke dhe çrregullime gastrointestinale. Një tjetër potencial i ekstraktit të kësaj bime është sinergjia e shprehur për disa barna si xhensen, eleuterokoku, rodiola dhe whitania, të cilave iu fuqizon efektin në sistemin nervor qendror.