shk102016
Varësia nga alkooli, fitoterapia kineze më efikase se barnat në treg
Deri më sot asnjë qasje terapeutike nuk është treguar vërtet efikase për të kundërshtuar sindromën e abuzimit me alkoolin. Shpresa të reja janë mbështetur në bimë të mjekësisë kineze, të tilla si: Kudzu dhe Hovenia
Historia e përdorimit të pijeve alkoolike nga njerëzit është mbi 9 mijëvjeçare, pra qëkur u zbulua mënyra për të prodhuar pijet e fermentuara. Që nga ajo kohë njerëz nga e gjithë bota konsumojnë alkool për arsye nga më të ndryshmet. Sigurisht ekziston një aspekt i këndshëm i lidhur me dehjen dhe ritet që lidhen me të, por shkenca mjekësore tashmë nuk bën kompromis dhe pa rezerva na konfirmon se konsumi i alkoolit dëmton!
Efektet negative të lidhura me një përdorim afatshkurtër janë intoksikim dhe dehidratim ndërsa efektet afatgjata përfshijnë modifikimet në metabolizmin e mëlçisë dhe trurit. Alkooli largohet nga trupi nëpërmjet një metabolizmi hepatik. Rreth 90% metabolizohet në mëlçi nga alkooli dehidrogjenazë (Adh) e ndjekur nga aldehide dehidrogjenazë (Aldh).
Substanca që stimulojnë aktivitete të tilla enzimatike janë pra kandidate të vlefshme për të kundërshtuar varësinë nga alkooli. Sot për sot asnjë qasje terapeutike nuk është treguar vërtet efikase në këtë drejtim.
Benzodiazepinat për shembull përdoren për të reduktuar simptomat e tërheqjes nga alkooli, por vetë këto mund të shkaktojnë tolerancën e ndërthurur dhe kros-varësinë.
Naltreksoni është efikas për trajtimin e varësisë (reduktimin e kohëzgjatjes dhe frekuencën e pijeve), por efektet e rënda anësore të tij janë të vështira për t'u tejkaluar.
Acamprosate, nga ana tjetër, ka treguar efikasitet në trajtimin e varësisë nga alkooli në studimet evropiane , por dy triale të mëdha amerikane nuk kanë arritur të konfirmojnë efikasitetin e tij. Një tjetër bar i aprovuar, disulfiram, nuk është në gjendje të reduktojë dëshirën për alkool dhe mund të shkaktojë një neuropati të bezdisshme periferike.
Me gjithë këto ka pasur tentativa të reja për të zhvilluar kura natyrale në gjendje për të stimuluar aktivitetin detoksifikues hepatik të alkoolit. Mes këtyre është Kudzu (pueraria lobata), pjesë e të ashtuquajturave barëra të këqija që i përkasin familjes Fabaceae, e përdorur prej mijëvjeçarësh në mjekësinë kineze me emrin "gé gçn". Lulet e tij përmirësojnë heqjen e acetaldehides, përgjegjëse për efektin post-dehje ndërsa ekstrakti i vërtetë merret pikërisht nga rrënja dhe rezulton se ndërvepron me Aldh2 mitokondriale, duke shtuar metabolizmin e alkoolit në nivele të acetaldehide. Deri më sot studimet e ndjekura mbi ekstraktin e Kudzu kanë treguar rezultate kontradiktore. Në vend të fitokompleksit kërkimi po e përqendron vëmendjen e tij kryesisht në tre substanca të pranishme në ekstrakt: në izoflavonet puerarin, daidzeina dhe daidzina. Edhe pse të dhënat e marra janë premtuese priten përgjigje nga studime sistematike.
Interesant rezulton edhe ampelopsina (Dhm), një flavonoid i izoluar nga Hovenia dulcis, në varietetin e rrushit sulltanina. Studime mbi kafshët kanë treguar se substanca është në gjendje të bllokojë intoksikimin akut dhe tolerancën nga alkooli kur bashkë administrohet me etanolin.
DHM gjithashtu ka reduktuar ndjeshëm dëshirë për alkool te minjtë. Në nivel qelizor kërkuesit kanë zbuluar se DHM frenon efektin e etanolit mbi receptorët Gaba-A në tru duke përfshirë të njëjtët vende veprimi të benzodiazepinave po pa shkaktuar përgjumje apo tolerancë. Këto rezultate ofrojnë një bazë të mëtejshme për një vlerësim pre-klinik dhe klinik të DHM si terapi farmakologjike për varësinë ndaj alkoolit.
Angelo Siviero
Farmacist ekspert në fitoterapi dhe galenikë