dhj142018
Vetitë farmakologjike të iktiolit si antibakterial dhe përdorimet e tij
Iktioli, iktamoli dhe sulfoiktiolat amoni janë tre termat që mund të indikojnë një përbërje me origjinë bituminoze të dobishme për përdorim si astringent dhe antiseptik. Përbërja merret nga distilimi i disa gurëve bituminozë, duke e kaluar distilatin në sulfur dhe duke neutralizuar produktin me amoniak. Rezultati duhet të përmbajë jo më pak se 2,5% amoniak dhe 10% squfur organik. Emri vjen nga lloji i fosileve që përmbajnë gurët bituminozë: zvarranikë deti dhe peshq të quajtur iktiolë.
Vetitë farmakologjike që i janë atribuar principit aktiv janë kryesisht ato antibakteriale lokale dhe astringente. Mund të ketë një efekt të dobët zbutës dhe irritues. Përdoret vetëm ose me antiseptikë të tjerë për trajtimin e sëmundjeve të lëkurës si ekzema, si edhe në eksipientët e përshtatshëm (pasta e iktiolit, iktioli i butë), si antiflogjistik te flebiti sipërfaqësor, absceset sipërfaqësore në formim, vaginiti, cerviciti, etj. Gjithashtu, aplikohet në kanalin e jashtëm të dëgjimit (në solucion glicerik) për trajtimin e furunkulozës ose të gjendjeve inflamatore.
Një përdorim i tillë është studiuar edhe së fundmi, duke krahasuar efektin e një solucioni glicerik iktioli me 10%, në krahasim me triadcortilin, për trajtimin e otitit akut të jashtëm. Të dyja trajtimet kanë rezultuar efikase, edhe pse një përmirësim më i rëndësishëm i gjendjes së dhimbshme është regjistruar te pacientët në kurë kortikozonike. Autorët, në saje të vetive antibakteriale të iktiolit, sugjerojnë përdorimin e këtij të fundit në trajtimin fillestar të otitit akut të jashtëm. Kjo do të bënte të mundur fitimin e kohës për futjen e një antibiotiku dhe reduktimin e kostove, toksicitetit dhe riskut të rezistencës.
Iktioli në solucion precipitohet në prani të acideve, ndërsa me alkalin të lirë amoniaku, përveçse është i papërputhshëm, precipitohet me kripërat metalike të jodit dhe jodurit. Është pjesërisht i tretshëm në alkool dhe plotësisht i tretshëm në një përzierje me pjesë të barabarta alkooli dhe eteri, që përzihen me glicerinë, lanolinë dhe vazelinë.
Shembuj formulues:
Materiale: peshore, spatul, pjatë për kremin
- Sulfoiktiolat amoni 10 g
- Ujë i purifikuar
- Krem bazë absorbues i ujit aq sa nevojitet, për 90 gr
Përzieni ujin në kremin bazë, duke shtuar pak nga pak iktiolin. Kjo formulë ka avantazhin që lahet me lehtësi.
- Iktiol 2 gr
- Oksid zinku 10 gr
- Xhelatinë e bardhë 12,5 gr
- Glicerinë 38 gr
- Ujë 40 gr
Shkrini iktiolin në 13 pjesë glicerine dhe shtoni në solucion oksid zinku. Në një enë tjetër shkrini xhelatinën në përzierjen e ujit dhe glicerinës (25 pjesë të mbetura). Më pas përzihen dy solucionet dhe veprojnë derisa ftohen. Lajmëroni pacientin për erën dhe ngjyrën e pakëndshme të preparatit, si edhe për tendencën e njollosjes së rrobave. Efekte të mundshme anësore nga aplikimi i preparateve bazë të iktiolit janë hiperndjeshmëria personale ndaj komponentëve, në veçanti prej ekspozimit në diell pas aplikimit, ndjeshmëri kutane.
Luca Guizzon, farmacist ekspert në fitoterapi
Burime: Medicamenta
Masood A, Moumoulidis I, Ray S, Chawla O, Panesar J., "A randomised controlled trial comparing Triadcortyl with 10% glycerine-ichthammolin the initial treatment of severe acute otitis externa". Eur Arch Otorhinolaryngol.2008 Aug;265(8):881-5. Epub 2007 Oct 6