Fitoterapi

qer242019

Kumaku (kalendula), miku i lëkurës dhe i shëndetit menstrual

Efektiviteti i kumakut në fushën dermatologjike konfirmohet edhe në studimet shkencore, ndërkohë që ai është përdorur në traditën popullore për të parandaluar ose zbutur çrregullimet që lidhen me ciklin menstrual...

Portokallia e luleve të kumakut tani ka hyrë në imagjinatën kolektive dhe në përdorimin tradicional. Edhe emri i kësaj bime rrjedh nga një term latin që tregon përsëritjen e së njëjtës ngjarje çdo muaj: calendae. Sipas autorit, kjo mund të lidhet me ripërtëritjen e rregullt të bimës ose me vetitë e saj emenagoge. Në fakt, kumaku përdoret në traditën popullore për të parandaluar ose zbutur çrregullimet që lidhen me ciklin menstrual, përveç përdorimit si qetësues dhe antiinflamator topik.
Efikasiteti i bimës në fushën dermatologjike konfirmohet edhe në disa studime shkencore. Për shembull, Khan dhe Amir kanë studiuar ndryshimin e parametrave mekanikë të lëkurës pas aplikimit të një kremi me kumak. Në veçanti, ata u përqendruan në elasticitetin, hidratimin dhe lodhjen e lëkurës, duke shënuar efektet çdo javë, për 8 javë. Në fund të trajtimit, kremi me kumak ka shfaqur përmirësime të rëndësishme në hidratimin dhe konsistencën e lëkurës, në krahasim me placebon.
Një mënyrë më pak tradicionale e përdorimit të kumakut është ajo rektale, siç përdoret në studimin e fazës III, të kryer në vitin 2017 nga Cimino dhe Morgia. Në këtë rast, autorët kanë dashur të tregojnë efikasitetin e një kombinimi të kurkumës me ekstraktin e kumakut për trajtimin e prostatiteve kronike apo të sindromës së dhimbjes pelvike.
Supostat ishin formuluar për të përmbajtur 350 mg kurkuminë dhe 80 mg ekstrakt kumaku dhe janë administruar një herë në ditë, për 1 muaj. Në fund të trajtimit, hulumtuesit kanë raportuar përmirësime të rëndësishme që i atribuohen reduktimit të citokinave dhe qelizave proinflamatore. Kjo rezultoi në një përmirësim të fluksit urinar, në simptomat e përgjithshme dhe madje edhe në ejakulimin e parakohshëm.

Gjithnjë në nivel intim, disa autorë e kanë përdorur atë duke e krahasuar me klotrimazolin për trajtimin e kandidozave vaginale. Në këtë studim, janë vlerësuar si simptomat e kandidozës (kontrolli i parë pas 10-15 ditësh), ashtu edhe përmirësimi i aktivitetit seksual (kontrolli i dytë pas 30-35 ditësh).
Te pacientet e trajtuara me kumak, përmirësimi i simptomave të kandidozës ka rezultuar më i ulët me klotrimazolin në kontrollin e parë, ndërkohë që ka rezultuar më i lartë në të dytin. Funksioni seksual u përmirësua me të dyja trajtimet. Prandaj, duket se kremi me bazë kumaku ka efekte më të vonuara, por që zgjatin më shumë në kohë.

E mbyllim së fundmi me një artikull që ka lidhje me përdorimin më tipik të kumakut, atë për dermatitet dhe në veçanti, për dermatitin nga pelenat. Në këtë situatë, studiuesit kanë vendosur të aplikojnë një krem me bazë aloe ose një pomadë me kumak. Trajtimi u krye 3 herë në ditë për 10 ditë. Efikasiteti ka qenë i barabartë, por fëmijët e trajtuar me kumak, treguan më pak skuqje se ata që u trajtuan me aloe. Natyrisht, edhe dallimi bazë mund të kontribuojë në këtë rast në efektin përfundimtar, megjithatë, të dyja trajtimet kanë rezultuar efektive për trajtimin e skuqjes nga pelenat, duke shfaqur edhe sigurinë e nevojshme.

 

Luca Guizzon, farmacist galenist

Burimet:
Acta Pol Pharm. 2011 Sep-Oct;68(5):693-701.
Arch Ital Urol Androl. 2017 Jun 30;89(2):110-113. doi: 10.4081/aiua.2017.2.110.
Women Health. 2017 Nov-Dec;57(10):1145-1160. doi: 10.1080/03630242.2016.1263272. Epub 2016 Nov 23.
ScientificWorldJournal. 2012;2012:810234. doi: 10.1100/2012/810234. Epub 2012 Apr 19.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC