Fitoterapi

nën62019

Dermatiti seborrheik. Trajtimi topik galenik me pirition zinku

Dermatiti seborrheik mund t'i ngjajë në pamje të parë një "zbokthi të thjeshtë", ndonëse karakteristikat e leskrave të formuara të epidermës janë të ndryshme. Zonat më të goditura janë lëkura e kokës, pjesa qendrore e fytyrës dhe zona sternale. Mund të ndikohet gjithashtu edhe pjesa e brendshme e bërrylave, gjunjëve dhe pubisi. Zakonisht prek fëmijët dhe të rriturit e grupmoshës 30-60 vjeç.
Shkaku i kësaj patologjie është ende i panjohur, por dobia e principit aktiv qëndron në kontrollin e replikimit të shtameve të llojit Malassezia, që janë të pranishme në sasi domethënëse në zonat e prekura dhe që duket se luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e dermatitit.
Për trajtimin përdoren forma farmaceutike topike të përbëra nga steroidë, acid salicilik, selen dhe piriton zinku.

Kjo kripë e zinkut, e zbuluar në vitet '30, është modeluar në mënyrë racionale për t'i ngjarë acidit aspergilik, një agjent antimikrobik natyral. Efikasiteti i piritionit të zinkut rrjedh nga dy veti të veçanta. Mbi të gjitha, është një antimikrobik-bakteriostatik me spektër të gjerë, që përfshin si bakteret grampozitive dhe gramnegative, ashtu edhe micetet: bllokon aktivizimin e pompës protonike transmembranike, duke shkaktuar një stazë ndaj metabolizmit qelizor. Gjithashtu, është ekstremisht pak i tretshëm në të gjithë solventët organikë: kjo do të thotë se do të aplikohet gjithmonë si materie grimcash. Grimcat depozitohen dhe mbeten në kontakt me zonën kutane që duhet trajtuar edhe kur aplikohet nëpërmjet produkteve me shpëlarje.

Rezultatin mund ta përkufizojmë si një "lëshim i zgjatur", që i shtrin në kohë dobitë e aplikimit.
Gjithsesi, në mënyrë që të jetë vërtet efikase, është mirë që molekula të shpërndahet në mënyrë uniforme, si në sipërfaqen e lëkurës, ashtu edhe në brendësi të folikujve piliferë. Gjithashtu, formulimi duhet të japë mundësi për një shpërndarje të qëndrueshme te produktit dhe ruajtjen e formës së tij aktive. Në veçanti, është mirë që pH të jetë ndërmjet 4-8. Mund të ndikojë edhe në mbrojtjen kundër rrezeve UV, duke qenë se shpërbëhet lehtësisht në dritën UV dhe vepron si ekran.

Piritioni i zinkut mund t'u shtohet bazave tashmë të gatshme për shampo, apo të formulohet ex-novo në locione, edhe në bashkëpunim me principe të tjera aktive. Në kozmetikë, përdoret në përqendrime prej 0,5%. Në rastet e përshkrimit nga mjeku (recetë e përsëritshme), kjo vlerë mund të shtohet.

 

Shembull formulimi:

Materialet: peshore, provëz, shufër qelqi
Pirition zinku 2%
Acid salicilik 3%
Glikol propilenik 15%
Alkool 60° (sa të jetë i nevojshëm për 100ml)

Në një provëz, tretni acidin salicilik në alkool. Më tej shtoni bashkëtretësin, glikolin propilenik. Shtoni piritionin e zinkut dhe silleni në vëllim. Në etiketë, evidentoni nevojën për ta tundur me forcë, para përdorimit. Mund të shtohet një agjent që bën shpërndarjen e mirë të grimcave apo viskozues, për ta bërë më të qëndrueshme përbërjen.

 

Luca Guizzon, ekspert në fitoterapi

J Dermatol.2009 Mar;36(3):131-7. doi: 10.1111/j.1346-8138.2009.00607.x.
Am Fam Physician.1995 Jul;52(1):149-55, 159-60.
BMJ Clin Evid.2015 May 27;2015. pii: 1713.
J Drugs Dermatol.2016 Feb;15(2):140-4.
J Cosmet Dermatol.2018 Feb;17(1):105-111. doi: 10.1111/jocd.12355. Epub 2017 May 14.
Int J Cosmet Sci.2013 Aug;35(4):381-7. doi: 10.1111/ics.12055. Epub 2013 May 24.


Download Center

separa
Principi e Pratica Clinica
Lista e barnave të rimbursueshme 2015
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
shkoni në download >>
separa

OTC