shk262024
Tribulus terrestris. Po studiohet ndikimi në trajtimin e diabetit
Gjinia Tribulus përfshin afro 20 specie në botë, 3 nga të cilat Tribulus cistoids, Tribulus terrestris dhe Tribulus alatus, janë specie të përhapura në Indi dhe nga këto, T. Terrestris, e njohur edhe si "Gokhura" vlerësohet në botë dhe përdoret për qëllime mjekësore. Ajo është një bimë kozmopolite, që gjendet në rajonet me klimë mesdhetare, subtropikale dhe shkretinore nëpër botë, kryesisht në Indi, Kinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës meridionale, Meksikë, Spanjë dhe Bullgari. Kjo bimë është e përhapur në kullota, në anët e rrugës dhe në vende të tjera të shkreta, kryesisht në rajone të nxehta, të thata dhe ranore, të tilla si Rajasthani perëndimor dhe Gujarati në Indi.
Tribulus terrestris e përdorur për qëllime mjekësore në barna dhe suplemente
Tribulus terrestris është një bimë me cikël vjetor e përdorur për qëllime mjekësore, pasi përmban një gamë të gjerë përbërësish fitokimikë, duke përfshirë flavonoidet, taninat, saponinat, alkaloidet dhe përbërjet fenolike. Këto përbërje kanë potenciale të ndryshme farmakologjike. Falë pranisë së këtyre metaboliteve sekondare, kjo bimë ka shumë veprime farmakologjike. Në fakt, ajo është bimë diuretike, afrodiziake, antiurolitike, imunomoduluese, antidiabetike, ul yndyrat, është kardiotonike, tonike e sistemit nervor, hepatoprotektive, antiinflamatore, analgjezike, antispazmodike, antitumorale, antibakteriale, antihelmintike, larvicide dhe antikancerogjene.
Nëpër botë, ekzistojnë shumë preparate farmaceutike dhe suplemente bimore që përmbajnë ekstrakte të tribulus të standardizuara në saponina steroide. Këto indikohen kryesisht për çrregullimet e libidos te meshkujt dhe te femrat, për disfunksionin erektil dhe për lëvizshmërinë jo normale të spermatozoideve. Sipas studimeve klinike, T. Terrestris është stimulues natyral i hormonit luteinizues (LH), i cili e përgatit organizmin për një prodhim më të madh të testosteronit, duke përmirësuar edhe funksionin riprodhues.
Perspektivat e reja kundër diabetit
Sipas një studimi të fundit, një formulë që përmban ekstrakte të Tribulus terrestris dhe të Curcuma amada rezultoi efikase kundër diabetit, duke ulur glukozën në gjak, urenë dhe kreatininën dhe duke shtuar nivelet e insulinës dhe glikogjenit te kafshët diabetike. Gjithashtu, u zbulua se kjo formulë mund të shtojë peshën trupore te kafshët diabetike, e cila tregon një aplikim të ardhshëm në formën e suplementeve bimore për kundërshtimin e reduktimit të peshës. Si vëzhgim përfundimtar, studimi thekson se si ky formulim ka potencial efektiv antidiabetik përmes studimeve in vivo. Perspektiva e së ardhmes është ajo e izolimit të principeve të vetme aktive me qëllim testimin e tyre individual mbi modelet diabetike, qoftë in vivo, qoftë edhe in vitro, në mënyrë që të gjenden alternativa të tjera përsa u përket barnave. Shpresojmë që studime të reja të prodhojnë rezultate më të mira dhe të vlerësojnë sigurinë.
Heliyon. 2024;10(1):e24009. Published 2024 Jan 4.
doi:10.1016/j.heliyon.2024.e24009