kor122024
Hepatiti C. OBSH kualifikon paraprakisht autotestimin e parë. I përshtatshëm edhe për përdorim jo profesional
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka kualifikuar paraprakisht auto-testin e parë për virusin e hepatitit C (HCV), shtesë e testit të shpejtë për antitrupat OraQuick HCV, të kualifikuar paraprakisht nga OBSH në vitin 2017 për përdorim profesional. Versioni i autotestimit, i projektuar specifikisht për t'u përdorur nga jo profesionistët, u ofron individëve një set të veçantë që përmban përbërësit e nevojshëm për kryerjen e auto-testit. Produkti i quajtur OraQuick HCV self-test mund të ofrojë një mbështetje thelbësore për zgjerimin e qasjes ndaj testimeve dhe diagnostikimeve, duke përforcuar përpjekjet botërore për eliminimin e hepatitit C.
Shtimi i qasjes ndaj shërbimeve
OBSH rekomandoi autotestimin për HCV (HCVST) në vitin 2021, me qëllim futjen e shërbimeve të testeve HCV ekzistuese në vende të ndryshme. Ky rekomandim bazohet në evidenca që demonstrojnë aftësinë e tij në shtimin e qasjeve ndaj shërbimeve dhe realizimin e tyre, sidomos te individët që nuk mund t'u nënshtrohen testimeve. Projektet e zbatimit të HCVST në nivel kombëtar, të mbështetura kryesisht nga UNITAID, kanë shfaqur nivele të larta qasshmërie dhe zbatueshmërie, si dhe u kanë dhënë fuqi individëve përmes zgjedhjes personale, autonomisë dhe qasjes ndaj shërbimeve të autotrajtimeve pa stigmë.
"Çdo ditë humbasim 3500 jetë për shkak të hepatitit viral. Nga 50 milionë individë që jetojnë me hepatitin C, vetëm 36% u diagnostikuan dhe 20% ishin trajtuar nga ana mjekësore brenda vitit 2022. Shtimi i këtij produkti në listën e kualifikimeve paraprake të OBSH-së, ofron një mënyrë të sigurt dhe efikase për zgjerimin e shërbimeve të testimit dhe trajtimit të HCV, duke garantuar që më shumë individë të diagnostikohen e të marrin trajtimet që kanë nevojë, si dhe duke kontribuuar në objektivin botëror të eliminimit të HCV-së", pohon Drejtoresha e Departamentit të Programeve Botërore për HIV, Hepatitin dhe SST-të në OBSH, Meg Doherty.
Programi i kualifikimit paraprak të OBSH-së për diagnostikimet in vitro
Programi i kualifikimit paraprak të OBSH-së për diagnostikimet in vitro, vlerëson një mori testesh, përfshirë edhe ato të përdorura për zbulimin e antitrupave kundër HCV. Programi vlerëson pajisjet mjekësore in vitro (IVD), krahasuar me standardet e cilësisë, sigurisë dhe performancës, duke i ndihmuar vendet në arritjen e diagnostikimit dhe monitorimit cilësor të trajtimit.
"Disponueshmëria e një auto-testi të HCV, të kualifikuar paraprakisht nga OBSH, u krijon mundësinë vendeve me të ardhura të ulëta e mesatare, të kenë qasje ndaj opsioneve të auto-testit të sigurt dhe efikas, thelbësor për realizimin e objektivit të diagnostikimit të 90% të individëve me HCV. Ky rezultat kontribuon në përmirësimin e qasjes ndaj produkteve shëndetësore cilësore, të garantuar për më shumë individë që jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta", pohoi Drejtori i Departamentit të Rregullores dhe Kualifikimit Paraprak në OBSH, dr. Rogério Gaspar.
OBSH do të vazhdojë të vlerësojë autotestimet e mëtejshme të HCV, me qëllim mbështetjen e zbatueshmërisë së bazuar në evidenca dhe për të punuar me komunitetet mbi zgjerimin e opsioneve të disponueshme në çdo vend.