nën262014
Lentet e kontaktit: udhëzimet për përdorim
Çdo vit në Shtetet e Bashkuara infeksionet në sy, të shkaktuara nga përdorimi jokorrekt i lenteve të kontaktit prekin miliona njerëz. Në një artikull të realizuar nga ekspertët amerikanë të qendrës ''Centers for disease control and prevention'' (CDC) analizuan bazat e të dhënave kombëtare me të dhënat e qendrave ambulatore dhe ato të departamenteve të ndihmës së shpejtë në përpjekje për të vlerësuar numrin vjetor të keratiteve, formë e zakonshme e infeksionit në sy.
Dhe shifrat janë me të vërtet të larta: 930 mijë vizita në studiot mjekësore dhe qendrat ambulatore, të cilave iu shtohen edhe 58 mijë vizita në qendrat e ndihmës e shpejtë. ''Keratiti është një infeksion shumë i rrezikshëm, që mund të sjellë edhe verbim'', shpjegojnë ekspertët e CDC-së, duke nënvizuar se për 38 milionë amerikanë që përdorin lente kontakti, faktori kryesor i rrezikut është padyshim përdorimi jokorrekt i lenteve.
''Lentet e kontaktit kanë shumë benefite, por sigurisht që shoqërohen me risqe'', saktëson Jennifer Cope, epidemiologe e CDC-së. ''Për shembull, përdorimi i tyre edhe gjatë natës shton të paktën me 20-fish mundësinë e zhvillimit të infeksioneve në sy''. Nuk duhet harruar se përveç shëndetit, përdorimi i keq i lenteve të kontaktit shkakton probleme edhe me portofolin: keratitet i shtojnë shpenzimeve shëndetësore të amerikanëve mbi 175 milionë dollarë çdo vit, pra rreth 140 milionë euro.
Një infeksion i rrezikshëm, por parandalimi dhe shërimi është i mundur
Keratiti është një dëmtim i kornesë (në greqisht keratos) - membrana transparente që vesh pjesën ballore të kokërdhokut - dhe mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm: fizikë (rrezet ultra vjollcë), biologjikë (baktere, viruse, kërpudha etj.) ose kimike (p.sh. acidet). Dhe në disa raste edhe patologji si sindroma e syrit të thatë, mungesa e vitaminës A ose probleme me sistemin imunitar mund të hapin portat e çrregullimeve. Në nivelin fizik, keratiti manifestohet me simptoma si skuqje, dhimbje në sy, intolerancë ndaj dritës (fotofobi), lotim i bollshëm, probleme me shikimin (shikim i mjegulluar), perde në korne, formim i indeve fijore nën epitelit etj. Dhe nëse këto simptoma anashkalohen ekziston rreziku që korneja të dëmtohet në mënyrë të pandreqshme, ndoshta edhe me humbjen e indit të epitelitit ose formimin e njollave që reduktojnë cilësinë e shikimit. Në rastet më të rënda arrihet në verbim, por në realitet me pak vëmendje shumë keratite mund të parandalohen, dhe kur tashmë janë shfaqur mund të kurohen.
Lente të sigurta
Ndër personat më të rrezikuar nga keratiti, janë mbajtësit e lenteve të kontaktit që nuk i përdorin lentet në mënyrën e duhur, duke rritur kështu rrezikun e zhvillimit të infeksioneve të rrezikshme si i ashtuquajturi keratiti Acanthamoeba. Është fjala për një mikro-organizëm (një protozoar) shumë rezistent i cili gjendet përgjithësisht në ujërat e lumenjve e pishina dhe mjaftojnë lëndime të vogla të kornesë, të shkaktuara ndoshta nga lentet e kontaktit për të sjellë infeksione që arrijnë edhe kokërdhokun.
Ja pra disa nga rregullat bazë për të përdorur lentet e kontaktit në siguri të plotë:
1. Lajini mirë duart me ujë dhe sapun para se të prekni lentet.
2. Hiqini lentet para se të flini, të bëni dush, apo të laheni në pishinë.
3. Pasi t'i keni hequr shpëlajini me solucionin dezinfektues dhe ruajini në likuidet specifike (mos përdorni ujin e rubinetit).
4. Kushtojini vëmendje edhe kontenierit ku mbahen lentet: shpëlajeni me solucionin e lenteve dhe ndryshojeni çdo 3 muaj.
5. Mos i ndërroni lentet me dikë tjetër, as ato kozmetike.