jan102020
Në Shqipëri qarkullon bakteri Neisseria meningitidis. Humb jetën një person
Në Shqipëri dyshohet se po qarkullon bakteri që shkakton sëmundjen e meningokoksemisë. Brenda 48 orëve, dyshohet se kanë humbur jetën tre vetë, përfshirë edhe rastin e një polici 27-vjeçar i cili humbi jetën dy ditë më parë dhe që është konfirmuar zyrtarisht.
Po kështu, humbën jetën edhe një djalë 33 vjeç nga Tirana dhe një vajzë 30 vjeçe nga Durrësi, ndonëse iu nënshtruan një terapie intensive në reanimacion. Instituti i Shëndetit Publik, përveç rastit të policit është duke hetuar ende për të konfirmuar nëse dy rastet e tjera janë prekur nga bakteri vdekjeprurës.
Bakteri që shkakton sëmundjen e meningokoksemisë përhapet nëpërmjet spërklave apo sekrecioneve respiratore. Zakonisht, ky bakter shfaqet në periudhën kur qarkullojnë edhe viroza të shumta stinore. Sipas mjekëve, një pjesë e pacientëve të prekur nga ky bakter që njihet si neisseria e meningjitit kalojnë në meningjit, kur bakteri prek cipën e trurit. Në rastin e meningokoksemisë, bakteri prek gjakun e pacientit, duke shkaktuar edhe humbjen e jetës. Kjo sëmundje prek më së shumti fëmijët e vegjël për shkak të mungesës së imunitetit. Sipas mjekëve, diagnoza e menjëhershme është e vështirë pasi ka simptoma të ngjashme me një sëmundje virale.
Ekspertët e shëndetit publik dhe mjekët infeksionistë thonë se nuk ka vend për panik pasi këto janë raste sporadike dhe çdo vit ka të tilla. Një vit më parë humbi jetën edhe një person. Mjekët këshillojnë vaksinën te fëmijët për serogrupet B dhe C që predominojnë në Europë. Por, vaksina nuk është në kalendarin e detyrueshëm.
Alma Demiraj