shk42016
Një App për smartphone që ndihmon në parashikimin e lindjeve të parakohshme
Dy studime të publikuara në revistën "Ultrasound in Obstetrics & Gynecology" kanë vlerësuar një aplikacion (App) për smartphone të projektuar për të ndihmuar në identifikimin e grave shtatzëna me risk për të sjellë në jetë fëmijë në mënyrë të parakohshme (pra para javës së 37). Të dyja studimet janë koordinuar nga Andrew Shennan, docent i obstetrikës dhe gjinekologjisë në "King's College", Londër.
"Pavarësisht progreseve në asistencën para-lindjes, gjatë viteve të fundit numri i lindjeve të parakohshme nuk ka qenë kurrë më i lartë edhe në vende si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Prandaj mjekët kanë nevojë për metoda të besueshme për të parashikuar nëse një grua është në rrezik lindjeje të parakohshme", shpjegon Shennan. "Por, mund të jetë e vështirë të vlerësohet me kujdes risku, duke qenë se shumë gra që shfaqin simptoma të parakohshme nuk lindin para kohe", shton ai.
Aplikacioni në fjalë përdor një algoritëm që kombinon historinë e shtatzënive të mëparshme, gjatësinë e qafës së mitrës dhe nivelet e fibronektinës fetale për të klasifikuar riskun. Studimi i parë u përqendrua në 1.249 gra të konsideruara në rrezik për shkak të lindjeve të tjera të parakohshme por asimptomatike. Shqyrtimi i këtij modeli u ndoq fillimisht në 626 gra shtatzëna të cilat paraqiteshin në mënyrë të vazhdueshme në klinikë dhe më pas vlerësimi për 625 gra të tjera.
Studimi i dytë ballafaqoi dy kampione të përbëra prej 190 dhe 192 gra me risk të lartë.
Në të dyja studimet, indikimet e ofruara nga algoritmi i App-it rezultuan absolutisht të besueshme edhe pse vetë kërkuesit nënvizojnë nevojën për verifikime të mëtejshme në këtë fushë, kryesisht derisa të qartësohet nëse duhen bërë ndërhyrje efikase për të përmirësuar rezultatet e shtatzënive te gratë e identifikuara si në risk.
App-i është quajtur Quipp dhe shkarkohet falas nga "app store" i Apple./D.GJ.
Ultrasound in Obstetrics & Gynecology Article first published online: 5 JAN 2016DOI: 10.1002/uog.14894 http://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1002/uog.14894
Ultrasound in Obstetrics & Gynecology Article first published online: 5 JAN 2016 Doi: 10.1002/uog.14865 http://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1002/uog.14865